Salim Karim është një nga viktimat në Suedi: Do të martohej këtë verë, para vdekjes i telefonoi të fejuarës

Salim Karim Iskef është një nga viktimat e të shtënave të fundit në Suedi, ku u vranë 10 persona. Mediat suedeze kanë publikuar tani detaje nga jeta e tij.

Pasi u plagos, Salim Karim arriti të telefononte të fejuarën e tij, i tha se e donte për herë të fundit dhe e kërkoi që të kujdesej për nënën e tij.

Pas telefonatës, e fejuara e tij e telefonoi përsëri, por ai nuk mundi të përgjigjej. Së shpejti ajo mësoi se ai kishte ndërruar jetë nga plagët e rënda që kishte marrë, shkruan AP.

Dyshja kishte blerë së fundmi një shtëpi ku planifikonin të jetonin pas martesës këtë verë.

“Fatkeqësisht, të gjitha ëndrrat e tij u shuan. Drita e tyre u fik,” tha Jakob Kasselia, prifti i kishës ortodokse lokale, për televizionin suedez TV4.

Autoritetet bënë të ditur se vrasësi, i cili ende nuk është identifikuar zyrtarisht, kishte lidhje me Qendrën e Arsimit për të Rritur, ku kreu sulmin me armë.

Salim Karim ishte student në këtë shkollë pas punës si punonjës shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19.

Familja e tij ishte larguar nga Siria ndërmjet viteve 2014 dhe 2015.

Motra e tij, Hanan Iskef, deklaroi për TV4 se nuk e di si të vazhdojë jetën pa të.

“Vazhdojmë të shikojmë nga dritarja, duke menduar se ndoshta do të kthehet dhe do të trokasë në derë, dhe ne do të duhet ta hapim. Nuk flemë, nuk hamë, nuk pimë. Asgjë. Vetëm rrimë dhe shikojmë jashtë,” tha Hanan për transmetuesin.

Transmetuesi kombëtar suedez dhe disa media të tjera kanë identifikuar Rickard Andersson-in (35) si personin që qëlloi dhe vrau 10 persona dhe veten në Qendrën e Arsimit për të Rritur në Örebro të Suedisë.

Kategoritë
BotaLajme