Samiti i BE-së nis me një minutë heshtje në nder të viktimave nga tërmeti në Türkiye dhe Siri

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së nderuan viktimat përpara se të nisin diskutimet për Ukrainën dhe migracionin

Liderët e BE-së në fillim të samitit të sotëm nderuan viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri me një minutë heshtje, raporton Anadolu.

“Këshilli i Jashtëzakonshëm Evropian sapo ka filluar me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit që goditi Türkiye-n dhe Sirinë”, shkroi në Twitter Barend Leyts, zëdhënësi i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Gjatë rrugës për në takim, disa liderë të BE-së shprehën keqardhje të thellë dhe ngushëllime për viktimat e tërmetit.

Nga ana e tij, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i shprehu ngushëllime “kombit turk nga thellësia e zemrave”.

Ai siguroi se “Lituania është e gatshme të mbështesë vendet që pësuan nga ky tërmet i tmerrshëm”.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas shprehu gjithashtu keqardhje për katastrofën dhe bëri të ditur se vendi i saj dërgoi menjëherë 45 punëtorë shpëtimi me pajisje në Türkiye dy ditë më parë.

Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë mbështetjen për Ukrainën, migracionin dhe çështjet ekonomike në samitin dy-ditor.

Kategoritë
BotaLajme