Samiti i Procesit të Berlinit, liderët e Ballkanit nënshkruajnë dy marrëveshje të reja

Dy marrëveshje të reja janë nënshkruar mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor këtë të hënë gjatë samitit të Procesit të Berlinit që u zhvillua sot  në Berlin.

Dy deklarata kanë në fokus bashkëpunimin për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Ato janë firmosur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiç, Borjana Christo kryetare e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristian Mickovski dhe kryeministri serb Millosh Vuçeviç kanë vendosur firmat për dy deklarata që synojnë bashkëpunimin rajonal.

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal që është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Si udhëheqës i samitit kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se marrëveshjet e reja “do ta lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve”.

Më tej kancelari gjerman theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura më parë është çelësi për një integrim të suksesshëm në Evropë. “Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë.”

Kategoritë
BotaLajmeVendi