Ish-kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, paralajmëroi se Rusia e udhëhequr nga Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse i lejohet të vazhdojë agresionin ndaj këtij vendi sovran.
Duke folur në ngjarjen Brand Finance në Londër, Marin theksoi se bota duket një vend shumë i rrezikshëm, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit.
“Nëse nuk e ndalojmë Putinin në Ukrainë, nëse nuk e ndihmojmë Ukrainën, do të shohim një agresion më të gjerë dhe më të madh nga Putini dhe Rusia. Mendoj se Rusia nuk do të ndalej në Ukrainë. Besoj se ata do të shkonin më pas në Moldavi e ndoshta edhe në Ballkanin Perëndimor, e më pas madje edhe në vendet e NATO-s”, tha Marin.
Ajo gjithashtu komentoi edhe veprimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump.
“Tani shohim një botë ku jo vetëm Putini dhe Rusia, por për fat të keq edhe ish-aleatët tanë të besuar në SHBA po ngrejnë zërin. Donald Trump po thotë gjëra të paprecedentë kur flitet për liderët e botës së lirë. Nga perspektiva e një kombi të vogël, është frikësuese një e ardhme ku vetëm forca dhe pushteti, ai pushtet brutal dhe i ashpër, diktojnë të ardhmen tonë”, përfundoi Marin.