Santorini është një mister, askush nuk e di pse është goditur nga 12.800 tërmete

Ditët e fundit, Santorini është goditur nga një numër i madh tërmetesh, përfshirë një prej tyre me magnitudë 5.3 sipas shkallës Rihter.

Lëkundjet janë ndjerë në Athinë të hënën në mbrëmje dhe janë regjistruar në një thellësi prej 17 kilometrash. Banorët e ishullit fqinj, Amorgos, janë ende në gjendje gatishmërie pas tërmetit të fundit, i cili ndodhi pas një tjetër tërmeti të moderuar me magnitudë pesë shkallë Rihter të dielën në mbrëmje midis ishujve.

Ky destinacion turistik është prekur nga aktiviteti sizmik që prej janarit, me mbi 12.800 tërmete të regjistruara nga Laboratori Sizmologjik.

Për shkak të frekuencës dhe intensitetit të lëkundjeve, kanë ndodhur rrëshqitje dheu në shumë pjesë të Santorinit, dhe ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e një tërmeti të madh, raporton BBC.

Sizmologët fillimisht ishin optimistë për zvogëlimin e intensitetit të tërmeteve, por tani janë të shqetësuar për një përkeqësim të situatës.

Ndërkohë, nuk janë raportuar të lënduar nga tërmetet, por më shumë se 11.000 njerëz kanë braktisur ishujt. Shkollat në Santorini, Amorgos dhe disa ishuj të tjerë do të mbeten të mbyllura edhe sot.

Një njësi e posaçme e emergjencave ka nisur nga Patra drejt Amorgos, e pajisur me një automjet të specializuar për shpëtim në raste tërmetesh. Po ashtu, ekipet teknike pritet të kontrollojnë rrjetin elektrik në ishull.

Një përfaqësues i autoriteteve deklaroi se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e një tërmeti të madh.

Greqia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë, por shkencëtarët janë të habitur nga “grupi” i tanishëm i tërmeteve.

Një mister që shqetëson shkencëtarët

Sipas National Geographic, këto tërmete të pazakonta po i çorientojnë studiuesit.

“Unë nuk e kuptoj pse kemi një seri tërmetesh të përsëritura. Kjo është një enigmë e vërtetë,” deklaroi David Pyle, një vulkanolog nga Universiteti i Oksfordit.

Megjithëse Santorini është një ishull pjesërisht i zhytur dhe ende aktiv nga ana vullkanike, konsensusi aktual është se shkaku i këtyre tërmeteve nuk është vullkanik. Burimi i tyre duket të jetë një proces tektonik i çuditshëm dhe i paparashikueshëm, që mund të qetësohet shpejt ose të përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme.

Ky model atipik sizmik njihet si “tufë tërmetesh” dhe ndodh në vende të ndryshme të botës, por është një dukuri unike.

Kategoritë
BotaLajme