Sarajeva në solidaritet me Turqinë dhe Sirinë: Bashkia ndriçohet me të kuqe, me një mesazh të shkruar në të

Në shenjë solidariteti me popujt e Turqisë dhe Sirisë pas tërmeteve katastrofike që goditën sot këto dy vende dhe morën mijëra jetë njerëzish, Bashkia e Sarajevës është ndezur sonte me ngjyrë të kuqe, që simbolizon flamurin turk.

Një mesazh në anglisht ishte shkruar edhe në Bashkinë: “Sarajeva qëndron me njerëzit e Turqisë dhe Sirisë”.

Kujtojmë se Turqia dhe Siria u goditën nga disa tërmete gjatë ditës së sotme, dy prej të cilëve me magnitudë 7.8 dhe 7.5 të shkallës Rihter ishin veçanërisht katastrofikë dhe shkaktuan një numër të madh viktimash.

Sipas informacioneve të fundit, të cilat i bëri të ditur zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 1541 persona, ndërsa 9733 të lënduar.

Gjithashtu, sipas informacioneve të fundit zyrtare, numri i të vdekurve në Siri është rritur në 970.

Dyshohet se këto shifra do të jenë dukshëm më të larta, duke qenë se një numër i madh njerëzish janë ende të varrosur në rrënoja dhe shpëtimtarët nga e gjithë bota po nxitojnë për të shpëtuar sa më shumë viktima.

Kategoritë
LajmeRajoni