Sarajevë, përkujtohen viktimat me rastin e 31-vjetorit të masakrës në tregun Markale

Masakra e parë në tregun Markale, ku humbën jetën 68 persona dhe mbetën të plagosur 144, ndodhi më 5 shkurt 1994.

Në Sarajevë është mbajtur ceremoni përkujtimore për 68 civilët që humbën jetën në sulmin me mortaja të kryer nga ushtria e Republikës Sërpska në tregun Markale në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, me rastin e 31-vjetorit të kësaj ngjarjeje gjatë luftës në këtë vend në fund të shekullit të kaluar, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e mbajtur në tregun Markale për të shënuar 31-vjetorin e sulmit nga ushtarët serbë më 5 shkurt 1994, morën pjesë familjarë të të vrarëve dhe të mbijetuarve të sulmit, si dhe ministra, burokratë, ambasadorë dhe qytetarë të shumtë.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, dhe anëtari kroat Zhelko Komshiq.

Beqiroviç u tha gazetarëve se e konsiderojnë veten si mbrojtës të së vërtetës kundër kriminelëve të luftës.

“Ne kurrë nuk duhet të harrojmë të vërtetën. Një komb që harron historinë e tij, rrezikon të përjetojë përsëri të njëjtën dhimbje. Kurrë nuk duhet ta lejojmë këtë. Duhet ta mbrojmë të vërtetën për një Bosnjë dhe Hercegovinë më të drejtë”, tha ai.

Xhevad Durmo, një i afërm i një viktime që humbi jetën në masakër, tha se edhe ai ishte zënë rob gjatë luftës dhe se humbi gruan dhe djalin e tij në sulmet serbe, duke shtuar se është e vështirë të harrohet ajo që ndodhi.

Ceremonia përfundoi pasi u vendosën lule në memorialin në treg.

– Dy masakra në treg

Masakra e parë në tregun Markale, ku humbën jetën 68 persona dhe mbetën të plagosur 144, ndodhi më 5 shkurt 1994.

Në masakrën e dytë të kryer nga ushtarët serbë në të njëjtin vend më 28 gusht 1995, jetën humbën 43 civilë, kurse 75 u plagosën.

Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, 11.541 njerëz, duke përfshirë 1.601 fëmijë, u vranë në Sarajevë, qytet i cili ishte nën rrethim nga forcat serbe për 44 muaj.

Kategoritë
BotaLajme