Sarajevë, protestë para ndeshjes së hokejit BeH-Izrael

Organizatorët kanë thënë se qëllimi është shprehja e pakënaqësisë në mënyrë të civilizuar për t’u bërë të ditur izraelitëve se nuk janë të mirëpritur në Sarajevë.

Një grup qytetarësh në Sarajevë kanë protestuar në prag të ndeshjes së hokejit midis përfaqësueses kombëtare për femra të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe asaj të Izraelit, raporton Anadolu.

Grupi joformal i qytetarëve “Bosnia for Palestine” protestoi në mbrëmje para Qendrës Kulturore dhe Sportive “Skenderija” në prag të ndeshjes kyç në Kampionatin Botëror të Divizionit III, ndërmjet kombëtares së hokejit për femra të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Izraelit.

Muhamed Spahiq, një nga protestuesit, tha se ka ardhur nga Tuzla sepse beson se me këtë veprim ka bërë “të paktën një të mirë minimale kundër një të keqeje të madhe”.

“Mesazhi është se ne duhet t’i qëndrojmë përballë së keqes. Në moshën 19-vjeçare, unë qëndrova kundër agresorit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe do ta bëja përsëri. Çdo formë e së keqes duhet të pengohet. Ne jemi këtu për të treguar se jemi për të mirën dhe kundër të keqes”, tha ai.

Në mesin e të mbledhurve ishte Ajdina Shushkiq, e cila kujtoi se populli i Bosnjë dhe Hercegovinës ka qëndruar me Gazën që nga fillimi i sulmeve izraelite në tetor 2023.

“Ajo që ndodhi në Srebrenicë po ndodh në Gaza dhe unë mendoj se ne duhet të qëndrojmë me një vend që po vuan gjenocid”, tha ajo.

Organizatorët më parë deklaruan se qëllimi i tyre nuk ishte dhuna, por shprehja e pakënaqësisë në mënyrë të civilizuar për t’u bërë të ditur izraelitëve se nuk janë të mirëpritur në Sarajevë.

Ka reaguar edhe Federata e Hokejit e BeH-së, e cila në një deklaratë tha se vetëm flamuri i BeH-së lejohet të sillet në lojë.

“Çdo sjellje e papërshtatshme ose agresive ndaj kundërshtarëve tanë nuk do të tolerohet. Një sjellje e tillë mund të shkaktojë dëm vetëm për ekipin tonë kombëtar dhe federatën tonë”, tha Federata e Hokejit e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ata kërkuan nga të gjithë të pranishmit që të bëjnë tifo me dinjitet, me energji pozitive dhe në mbështetje për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Kategoritë
BotaLajme