Kina është në proces ndërtimi të një kompleksi gjigant ushtarak në pjesën perëndimore të Pekinit, për të cilin zyrtarë të inteligjencës amerikane besojnë se do të shërbejë si një qendër komanduese për luftë dhe bunker bërthamor – shumë më i madh se vetë Pentagoni, sipas raportimeve nga zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm amerikanë.
Megjithëse në vendin e ndërtimit nuk shihet ndonjë praninë e dukshme ushtarake, zyrtarët amerikanë pretendojnë se kompleksi ka përmasa kolosale dhe pritet të jetë një qendër komanduese ushtarake e ndërlidhur me sisteme mbrojtëse në rast të një konflikti të madh – përfshirë edhe luftë bërthamore.
Sipas imazheve satelitore, ndërtimi përfshin një zonë prej rreth 1.500 hektarësh, që ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të Pekinit. Në këtë vend shihen gropa të thella që, sipas ekspertëve ushtarakë, do të përdoren për ndërtimin e bunkerëve masivë nëntokësorë për të mbrojtur udhëheqjen politike dhe ushtarake të Kinës në rast konflikti bërthamor.
Ndërtimi ndodh në një kohë kur Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (PLA) po zhvillon armë të reja dhe po përgatitet për festimin e 100-vjetorit të themelimit të ushtrisë.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA (NSA), që mbikëqyr komunitetin e inteligjencës amerikane, nuk ka dhënë komente për projektin. Ndërkohë, Ambasada e Kinës në Washington deklaroi se “nuk është e njohur me detajet”, por theksoi se Kina mbetet “e përkushtuar ndaj zhvillimit paqësor dhe politikës mbrojtëse me karakter defanziv”.
Sipas Renny Babiarz, ish-analist i imazheve në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore të SHBA-së, në këtë zonë po punojnë të paktën 100 vinça ndërtimi në një hapësirë prej 5 kilometrash katrorë, me fokus në infrastrukturën nëntokësore.
“Analiza e pamjeve sugjeron ndërtimin e disa objekteve nëntokësore të mundshme, të lidhura me rrugë apo korridore të nëndheshme. Megjithatë, për një vlerësim më të plotë nevojiten të dhëna shtesë”, tha Babiarz.
Ky zhvillim po ndodh në një kontekst të rritjes së tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës, veçanërisht rreth Tajvanit dhe garës për dominim strategjik në rajonin e Indo-Paqësorit.