Sauna bëhet “burim” transmetimi i lisë së majmunëve në Madrid, Belgjika zbulon 3 raste

Virusi i lisë së majmunëve po përhapet me shpejtësi në botë dhe autoritetet shëndetësore janë të shqetësuar për rrezikun që paraqet. Rastet e raportuara në Spanjë kanë qenë kryesisht të lidhura me një sauna në Madrid. Autoritetet shëndetësore konfirmuan  30 raste në një sauna në kryeqytetin spanjoll.

“Departamenti i Shëndetit Publik (Madrid) do të kryejë një analizë edhe më të detajuar për të kontrolluar transmetimin, për të prerë zinxhirët e transmetimit dhe do të përpiqet të zbusë sa më shumë transmetimin e këtij virusi ”, tha Escudero transmeton Reuters.

Fjala “sauna” përdoret në Spanjë për të përshkruar objektet e njohura nga homoseksualët dhe jo banjat e thjeshta, të njohura në mbarë botën. Një përqindje e konsiderueshme e rasteve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë përfshijnë burra homoseksuale dhe biseksualë, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Lidhja me “Festivalin Fetish” të Belgjikës

Tre raste në Belgjikë janë lidhur dhe me Festivalin Fetish, sipas organizatorëve. “Darklands Festival” paralajmëroi personat që morën pjesë në festat katërditore, që nisën më 5 maj, se autoritetet e kishin lidhur ngjarjen me tre rastet e konfirmuara.

“Ka arsye për të besuar se virusi është bartur nga vizitorë nga jashtë në festival pas rasteve të fundit në vende të tjera,” thanë organizatorët e festivalit.  Në të njëjtën kohë, po hetohet gjithashtu një festë homoseksualësh në Spanjë, si shkaku kryesor i përhapjes së rasteve të lisë së majmunëve në mbarë botën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, lidhja midis homoseksualëve dhe lisë u krijua për herë të parë në fillim të kësaj jave nga Agjencia e Sigurimeve Shëndetësore në MB (UKHSA). Sipas mediave, ekspertët janë të shqetësuar për shpërthimin e epidemisë në komunitetet LGBTQI, për shkak të paradës së krenarisë.

OBSH: Rastet nuk duhet të stigmatizohen

Dr Hans Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH për Evropën, tha se virusi është i rrezikshëm për Evropën për shkak se gjatë kësaj periudhe shtohen shumë dhe tubimet masive dhe festivalet. “Dua të theksoj se personat e prekur nga lija e majmunëve nuk duhet të stigmatizohen apo diskriminohen në asnjë mënyrë.

Komunikimi në kohë i rrezikut për publikun e gjerë është i rëndësishëm dhe organet e shëndetit publik duhet të shpërndajnë gjerësisht këshilla të sakta dhe praktike për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin.“, tha Dr Hans Kluge

Lija e majmunëve është një virus që sipas ekspertëve është i vështirë për t’u transmetuar nga personi në person. Kjo është hera e parë që ka një transmetim të vazhdueshëm nga njeriu te njeriu jashtë Afrikës. Shkencëtarët thanë se virusi ka të ngjarë të përhapet përmes kontakteve seksuale.

Kategoritë
BotaLajme