Schmidt: Këshilloj që problemet nga veriu i Kosovës të mos barten në BeH dhe anasjelltas

Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Cristian Schmidt, tha se po e këshillon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që problemet nga veriu i Kosovës të mos kalojnë në BeH.

“E di që Vuçiq ka problem në veri të Kosovës. Unë këshilloj që këto probleme të mos barten në BeH dhe anasjelltas”, thaSchmidt për televizionin BN të Bijeljinës.

Ai shtoi se u rekomandon të gjithë personave përgjegjës politik në Bosnje dhe Hercegovinë që të vendosin kontakte me “një fqinj të rëndësishëm, Serbinë”, duke theksuar se ky bashkëpunim në fund të fundit nënkupton një rritje të trafikut dhe bashkëpunimit tregtar.

Schmidt tha se në periudhën e kaluar është takuar me Vuçiqin dhe se “kanë pasur diskutime pragmatike për tema që kanë të bëjnë me Bosnjën dhe Hercegovinën”, duke theksuar se nuk kanë biseduar asnjëherë për individë, por, siç tha ai, për punën, infrastrukturën, rrugët…

“Thjesht, le të vendosim një hartë në tavolinë dhe të shohim se ku mungon një rrugë që do të lidhte dy vendet. Po flasim për temën, të cilën Vuçiq e quan “Ballkani i Hapur”, e unë e quaj “Procesi i Berlinit”, tha Schmidt.

Ai tha se javët e fundit ka pasur kontakte me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq dhe se së shpejti do të takohet me të.

Kategoritë
LajmeRajoni