Scholz aterron nesër në Kosovë, a do të vijë me një lajm të mirë për vizat

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz do të vizitojë Kosovën më 10 qershor, në një vizitë dy-ditore në Ballkan. Vizita e tij vjen disa muaj pas vizitës së ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila u takua me Kurtin e Muratin, duke vënë theksin tek rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe dialogu, ndërsa premtoi se Gjermania do ta kryejë punën e saj sa i përket vizave. Gjermania ka emëruar edhe një përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, duke treguar se do të përkushtohet veçanërisht për këtë rajon, shkruan Gazeta Express.

Scholz, që është kancelar nga SPD (Partia Social Demokrate e Gjermanisë) ka lidhur koalicion me të Gjelbërit për krijimin e qeverisë në Gjermani. Në programin e përbashkët që kishte 177 faqe, për herë ta parë, Ballkani Perëndimor zinte një vend të veçantë ku ndër të tjera thuhej se prioritet është dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Ndërkohë ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, para disa ditëve tha se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave, duke aluduar se ajo pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, pritet të ketë një vizitë zyrtare të premten e 10 qershorit në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të turit të tij dy-ditorë në Ballkan. Sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman, Ëolfang Buchner, Scholz në Kosovë, përveç takimeve me krerët institucional, do të vizitojë edhe trupat gjermane në kuadër të KFOR-it.

Fokusi i udhëtimit sipas zëdhënësit do të jetë perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Albin Kurti, më 4 maj kishte realizuar një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Mes tjerash Scholz, pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Kancelari në konferencën për media në Berlin bashkë me kryeministrin Albin Kurti tha se personalisht angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat raporton Gazeta Express.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Evropian, në bisedat me partnerët angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.

Kategoritë
LajmeVendi