Scholz: Nga mundësitë në Mesdheun Lindor duhet të përfitojnë të gjithë

Scholz zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, dhe mbajti një fjalim në konferencën pas takimit me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Mesdheu Lindor është një rajon plot me mundësi, duke shtuar se nga kjo duhet të përfitojnë të gjitha palët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Scholz zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, dhe mbajti një fjalim në konferencën pas takimit me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.

“Mesdheu Lindor është një rajon plot me mundësi dhe përdorimi i të gjitha këtyre mundësive kryesisht në fushën e ekonomisë duhet të jenë në dobi të të gjitha vendeve fqinje në rajon që të përdorin të gjitha këto mundësi në dobi të të drejtave të tyre”, deklaroi Scholz, duke informuar se në takim u diskutua çështja e Mesdheut Lindor.

“Problemet mund të zgjidhen me dialog”

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk janë të rëndësishme vetëm për Greqinë dhe Türkiye-n, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n, deklaroi Scholz, i cili tha se aleatët e NATO-s nuk duhet të vënë në pikëpyetje sovranitetin e njëri-tjetrit.

Më tej Scholz tha se beson që të gjitha problemet mund të zgjidhen me dialog të bazuar në ligjin ndërkombëtar.

Bashkimi Evropian (BE) po tregon përpjekje për të siguruar uljen e çmimeve të energjisë, tha Scholz, duke shtuar se edhe burimet e energjisë së rinovueshme janë të rëndësishme për të ardhmen e sigurisë së energjisë së Evropës.

“Edhe populli grek, edhe populli turk duan zgjidhje paqësore”

Ndërkaq, kryeministri grek Mitsotakis tha: “Fqinjtët tanë dhe të gjithë aleatët tanë e dinë se ishujt grekë nuk kërcënojnë askënd. Të gjithë e dinë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk ndryshojnë me komente arbitrare. Ashtu sikur historia nuk ndryshon me iluzione, edhe gjeografia me harta të rreme”, deklaroi Mitsotakis lidhur me Türkiye-n.

Mosmarrëveshjet mes Türkiye-s dhe Greqisë duhet të zgjidhen me rrugë paqësore dhe unë jam i gatshëm të zgjas dorën e miqësisë, pohoi Mitsotakis, i cili tha: “Këtë e dëshiron edhe populli turk, edhe populli grek, edhe Evropa. Sigurisht që edhe Athina e dëshiron këtë”.

Duke bërë të ditur se në takim diskutuan edhe memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes Türkiye-s dhe Libisë, Mitsotakis tha se Greqia dëshiron të marrë pjesë në “procesin e Berlinit” lidhur me zhvillimet në Libi.

Kategoritë
BotaLajme