“Nëse SHBA-ja nuk na lë zgjidhje tjetër, atëherë vendet e BE-së do të reagojnë si një. Si tregu më i madh në botë me 450 milionë qytetarë, ne kemi forcën për ta bërë këtë”, tha kancelari gjerman
Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi se Bashkimi Evropian do të hakmerret njëzëri nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdon me vendosjen e tarifave për produktet evropiane, raporton Anadolu.
Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlament, Scholz kritikoi kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të vendosur tarifa ndaj produkteve evropiane, duke filluar nga çeliku dhe alumini.
“Nëse SHBA-ja nuk na lë zgjidhje tjetër, atëherë vendet e BE-së do të reagojnë si një. Si tregu më i madh në botë me 450 milionë qytetarë, ne kemi forcën për ta bërë këtë”, tha ai.
Scholz tha se shpreson që administrata e SHBA-së do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe do të shmangë një cikël tarifash dhe kundërtarifash.
“Luftërat tregtare gjithmonë përfundojnë duke u kushtuar të dyja palëve në prosperitet”, tha kancelari gjerman dhe nënvizoi se qeveria e tij po ndërmerr hapa për të mbështetur bizneset gjermane në kohët sfiduese që vijnë.
“Edhe pa një luftë tregtare, konkurrenca e ashpër nga SHBA-ja, Kina dhe rajone të tjera në zhvillim të botës do të vazhdojë ta vë ekonominë tonë nën presion të madh”, tha ai.
Dje, Trump njoftoi se SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 25 për qind për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit pa përjashtime. Masa do të prekë importet nga shumë vende, veçanërisht duke ndikuar në partnerët kryesorë tregtarë si Kanadaja, Meksika dhe vendet evropiane, të cilët janë furnizuesit kryesorë të metaleve në tregun amerikan.