Së shpejti, Laçi do të jetëzohet me 524 apartamente, dhuratë nga qeveria e Turqisë

Laçi së shpejti do të jetëzohet me 524 apartamente me standarde të larta, ku familjet e mbetura pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të kenë banesat e tyre të reja.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i rindërtimit në Laç.

“…me zemrën e rilindur të Laçit, që së shpejti do të jetëzohet me 524 apartamente me standarde të larta, në 13 pallate me 375 vendparkime, 37 njësi shërbimi, qendër tregtare e infrastrukturë krejt të re, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama krahas pamjeve të publikuara.

Zona 1 e lagjes së re në Laç financohet nga qeveria turke, ndërsa zona 2 nga qeveria shqiptare.

Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve evropiane.

Pallatet e reja, spitali i ri, godina e re e bashkisë, shkollat dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Ndërkohë në gjithë bashkinë Kurbin ndërtohen nga e para 6 godina arsimore, 4 shkolla dhe 2 kopshte dhe rikonstruktohen 3 të tjera.

Kujtojmë se në ceremoninë e fillimit të punimeve, Presidenti i Turqisë, Erdogan, përmes një video-konference drejtpërdrejt uroi gjithë banorët e Laçit që ti marrin sa më parë apartamentet e reja dhe të jetojnë të lumtur në to.

Ky projekt do të kushtojë 42 milionë euro. Shpresojmë që t’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve tanë që kanë humbur shtëpitë e tyre. Iu shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta vëllezërve shqiptarë që humbën familjarët e tyre.

Uroj që shtëpitë e ndërtuara për banorët e Laçit të jenë të dobishme dhe të hairit. Uroj që të jetoni në paqe me familjet dhe gjithë të dashurit tuaj. Ju uroj shëndet”,- ka thënë  ndër të tjera Erdogan.

Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara kanë vizituar herë pas here në këtë kantier ku ndërtohen grupi i pallateve moderne, i financuar nga qeveria turke.

Puna e mbetur në kantier vazhdon me ritme të larta, ndërsa, drejtuesi i punimeve nga kompania turke “Bayrak”  ka deklaruar më parë se “ky projekt është parashikuar që të përballojë një tërmet prej 9 ballë”.

Nga ana tjetër, në lagjen “Rilindja” në Fushë-Krujë, për pak ditë do të hyjnë në banesat e tyre të reja familjet të cilat mbetën pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ky kantier rindërtimi i cili është drejt përfundimit.

“…me këto pamje mbi lagjen e re Rilindja e Fushë-Krujës, ku edhe pak muaj do të hyjnë 1.200 banorë të rinj, me kushte optimale, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Lagjet e reja, një kombinim i banesave individuale me ato kolektive, shërbimeve dhe rekreacionit do të jenë modeli i ri i zhvillimit urban të qyteteve që u goditën nga tërmeti.

Lagjja e re përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për zonën.

Në kuadër të programit të rindërtimit në Fushë-Krujë po ndërtohen edhe 15 pallate me 100 apartamente.

Kategoritë
LajmeRajoni