Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje se në momentin që do të kenë ftesë nga kryesuesi Avni Dehari për vazhdim të seancës konstituive do t’i përgjigjen asaj “ashtu siç e do rregulli dhe rendi”.
“Sapo të kemi ftesën nga kryesuesi i seancës ne sigurisht se do t’i përgjigjemi ashtu siç e do rregulli dhe rendi”, tha Manxhuka.
Sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur letrës së Deharit pas ndërprerjes së seancës konstituive dje.
Në përgjigje thuhet se vazhdimi i seancës duhet të thirret brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj, që i bie më së largu deri nesër paradite.
Akoma pa dhënë një përgjigje presidentja, LDK ka thënë se do të jenë në sallën e kuvendit nesër në ora 10:00. Abdixhiku ka kërkuar sërish dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat të deputetit.
Ndërkaq nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka thënë për Express se e kanë “obligim mbi bazën e rregullores së punës” që të jenë nesër në kuvend.
Kur u pyet nëse ende e kanë kusht dhënien formale të dorëheqjeve të anëtarëve të qeverisë, Çitaku tha se “asgjë nuk ka ndryshuar”.