Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vijë në Kosovë më 11 mars, një ditë pas vizitës së tij në Bosnje e Hercegovinë.
Rutte do të pritet në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
NATO ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për vizitën e Ruttës në dy vendet ballkanike.
Vizita e Ruttes vjen në kohën e zhvillimeve në Ukrainë pasi Administrata Trump i kërkoi Europës që të merr përgjegjësi për sigurinë e saj dhe kur Europa po përpiqet të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen dhe pas kësaj kërkese.
Për ndikimin e mundshëm të këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor ishte pyetur Rutte qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë në një debat nga studentët se a sheh mundësi për rifillim të konfliktit në Kosovë pasi ka zëra se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi ushtarak.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në të interesin e të gjithë neve”, ishte përgjigjur ai.