Zgjerimi i forcave të armatosura të Kinës është “tronditës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Japoni që filloi sot, me synimin për të treguar fuqinë e aleancës në rajonin Indo-Paqësor.
“Të mos jemi naivë sa i përket Kinës. Ndërtimi i forcave të tyre të armatosura, investimet në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse janë vërtet tronditës”, tha Rutte për Japan Times.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po ushtron presion ndaj vendeve të tjera anëtare të NATO-s, kryesisht ato evropiane, që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
Në të njëjtën kohë, Trump kërkon që aleatët në rajonin Indo-Paqësor të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake për t’u përballur me Kinën dhe për të frenuar Korenë e Veriut.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po duan gjithnjë e më shumë që NATO të përfshihet në këtë rajon. Jo në kuptimin e Neni 5, por në kuptimin e shfaqjes së forcës dhe mbështetjes së ndërsjellë brenda aleancës,” tha Rutte.
Neni 5 i NATO-s parasheh se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjitha anëtareve, dhe se të gjitha do të ndërmarrin masa në përputhje me këtë.
Rutte pritet sot të vizitojë bazën detare të Jokosukës dhe të takohet me zyrtarë të lartë japonezë, përfshirë edhe kryeministrin Shigeru Ishiba të mërkurën.
NATO ka përpjekur në vitet e fundit të forcojë lidhjet me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re – grupin e njohur si IP4 – liderët e të cilëve kanë marrë pjesë në samitet e NATO-s.