Trajneri gjerman Jurgen Klopp (57) nga janari do të jetë “Kreu Global i Futbollit” (Global Head of Soccer) te Red Bull, dhe tani janë zbuluar disa detaje interesante të angazhimit të tij.
Së pari, gazeta Münchner Merkur/Tageszeitung publikoi se Klopp, që në vitin 2022, kur ishte trajner i Liverpool-it, kishte rënë dakord për kalimin në këtë pozicion te Red Bull, pikërisht nga janari i vitit 2025.
“Në shtator të vitit 2022, në një vilë në Salzburg, pas dyerve të mbyllura, qëndronte një burrë i moshuar, 78-vjeçar, që ishte shumë i sëmurë, dhe e vizitoi një njeri plotësisht i shëndetshëm dhe 23 vite më i ri. Biseda e tyre rezultoi në atë që më i riu premtoi se për më shumë se dy vjet do të bëhej përgjegjës për futbollin në korporatën e të moshuarit. I sëmuri në prag të vdekjes quhej Dietrich Mateschitz, dhe vizitori dhe punonjësi i ardhshëm ishte Jurgen Klopp,” thuhet në tekst.
Mateschitz, bashkëthemelues dhe bashkëpronar i Red Bull, me një pasuri prej 27.4 miliardë euro, vdiq disa javë pas bisedës dhe marrëveshjes me Klopp-in, i cili më pas për më shumë se një vit e gjysmë drejtoi Liverpool-in me një marrëveshje të fshehtë për largimin.
Helmut Mark, konsulent i Red Bull për motosportin, theksoi se është e pabesueshme që sekreti është ruajtur për kaq gjatë.
Duke marrë parasysh se Klopp do të ketë një rol kryesor në një nga markat më të mëdha në botë, ka gjithnjë e më shumë spekulime për sa do të fitojë në punën e tij të re, dhe gazetari i besuar i Sky Sport-it gjerman, Florian Plettenberg, tani ka zbuluar kontratën e tij.
Klopp do të fitojë çdo vit mes 10 dhe 12 milionë euro në kompaninë austriake. Interesante është që kjo është më pak se te Liverpool-i, ku gjermani fitonte 18 milionë euro në vit.
Megjithatë, emërimi i tij nuk është pritur mirë në Gjermani, ku lajmi është pritur me zemërim dhe keqkuptim, duke theksuar se ai ka tradhtuar vlerat tradicionale të futbollit për një model suksesi të bazuar në para.
Në rolin e tij të ri, Klopp do të jetë mbështetje dhe ndihmë për drejtuesit e RB Leipzig, Salzburg dhe New York Red Bulls, ndër të tjera, dhe në zhvillimin e mëtejshëm të filozofisë së futbollit të RB-së. Ai gjithashtu pritet të përdorë rrjetin e tij në skautim dhe përzgjedhjen e trajnerëve dhe talenteve, ndër të tjera në Brazil dhe Japoni.