Sekuestrohen 5,5 tonë kokainë në Kolumbi

Sipas informacioneve të ndara, droga do të transportohej fillimisht në Panama dhe më pas në SHBA

Në një operacion të përbashkët të forcave të sigurisë kolumbiane, panameze dhe amerikane në Detin e Karaibeve, janë sekuestruar 5,5 tonë kokainë, transmeton Anadolu.

Operacioni kundër trafikantëve të drogës i Marinës Kolumbiane dhe Forcave Ajrore, me mbështetjen e Forcave Ajrore të Panamasë dhe Shteteve të Bashkuara, është realizuar 120 milje nga Gjiri i Morrosquillos.

Krahas sekuestrimit të sasisë së madhe të kokainës, po ashtu janë ndaluar pesë persona, katër nga Kolumbia dhe një nga Panamaja.

Pasi kanë vënë re forcat e sigurisë, trafikantët kanë derdhur një sasi kokaine në det.

Vlera e tregut e kokainës së sekuestruar raportohet të jetë rreth 184 milionë dollarë.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka uruar forcat e sigurisë nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Një nga goditjet historike iu dha kontrabandistëve të drogës. Marina kolumbiane sekuestroi 5,5 ton kokainë dhe 18 milionë dollarë para të gatshme”, është shprehur Petro.

Sipas informacioneve të ndara, droga do të transportohej fillimisht në Panama dhe më pas në SHBA.

Kategoritë
BotaLajme