Selia e re e NATO-s vetëm dy orë larg Rusisë: Çfarë fshihet pas këtij veprimi të papritur të aleancës?

Aleanca e Atlantikut të Veriut vitin e ardhshëm do të vendosë një komandë të re në Finlandë, afër kufirit me Rusinë, e cila do të ketë për detyrë menaxhimin e operacioneve të forcave tokësore të aleancës në Evropën veriore në rast të një konflikti ushtarak.

Këtë informacion e bëri të ditur sot ministri finlandez i mbrojtjes, Antti Häkkänen.

“Unë mora vendimin që të propozojmë krijimin e një komande… në Mikkeli,” deklaroi Häkkänen, duke iu referuar qytetit në juglindje të Finlandës, i cili ndodhet afërsisht dy orë larg nga kufiri me Rusinë. Shtetet aleate kanë dhënë paraprakisht pëlqimin për këtë hap.

Komanda fillimisht do të ketë një buxhet vjetor prej 8.5 milionë eurosh dhe në të do të shërbejnë disa dhjetëra ushtarë nga vende të ndryshme.

Finlanda, ashtu si dhe Suedia fqinje, iu bashkua NATO-s si përgjigje ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Dy vendet nordike ranë dakord në mes të muajit që zhvillimin e forcave tokësore të NATO-s në Finlandë ta udhëheqë Suedia. Megjithatë, ende nuk është e qartë sa ushtarë aleatë do të dislokohen në vendin që ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë.

Sipas fjalëve të Häkkänen, Helsinki për momentin nuk synon një prani të përhershme të forcave shumëkombëshe në territorin e tij, ashtu siç është rasti në shtetet baltike.

Kategoritë
BotaLajme