Serbët i “alarmon” ideja e paraqitjes në garën që mbahet në Kosovë

“Skandal”. Kështu është vlerësuar nga mediumi serb “Informer” paraqitja e garës së çiklizmit “Tour de Kosovo” në parakalendarin e Federatës së Çiklizmit të Serbisë për vitin 2023.

Sportistët e Serbisë nuk marrin pjesë në garat që organizohen në Kosovë, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Ndërkohë serbët e bëjnë të pamundurën që të mohojnë paraqitjen e sportistëve të Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Serbi.

Vjet janë bërë pak lëvizje në atletikë, por paraqitja e sportistëve të Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare në Serbi sërish pritet të jetë problematike.

Ndërkohë Federata e Çiklizmit të Serbisë e ka përfshirë garën “Tour de Kosovo”, që mbahet në muajin gusht, në parakalendarin për vitin 2023. Dhe kjo është e papranueshme sipas mediumit serb.

Ndërkohë në propozimin zyrtar të Federatës serbe për kalendarin e vitit 2023, gara në Kosovë nuk është përfshirë.

Reagimi i mediumit serb edhe njëherë ka dëshmuar se në vendin fqinj kanë telashe për ta pranuar realitetin, që Kosova paraqitet në të gjitha ngjarjet ndërkombëtare dhe tashmë organizon ngjarje ndërkombëtare në sporte të ndryshme.

“Tour de Kosovo” mbledh dhjetëra çiklistë nga vende të ndryshme, ndërsa tradicionalisht mbahet gjatë verës. Tashmë si garë është edhe në kalendarin zyrtar ndërkombëtar. Nuk është garë e nivelit më të lartë, por tërheq vëmendjen e çiklistëve nga vende të ndryshme.

“Kjo është për rubrikën ‘besoni apo jo’. Që precedenti të jetë edhe më i madh, këtë garë e organizon e vetëshpallura Republikë e Kosovës. Megjithatë drejtuesit e Federatës së Çiklizmit të Serbisë, që kanë propozuar këtë kalendar, nuk e kanë përkrahjen e shumicës së klubeve që gjithnjë e më zhurmshëm protestojnë kundër garimit në jug të Serbisë”, ka shkruar “informer.rs”.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi