“Serbët jolojalë” që dhanë dorëheqje nga institucionet mbesin pa paga nga Serbia

Pesë muaj pasi kanë dorëzuar dorëheqjet në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kjo nuk është dëshmuar si zgjidhje e mirë për disa qytetarët nga komuniteti serb. Ata pretendojnë se Lista Serbe, e cila kërkonte dorëheqjen e tyre dhe u ofronte zgjidhje të përkohshme, tani po i sanksionon dhe shantazhon nëse nuk e përkrahin politikën e kësaj partie të afërt me Beogradin.

“Dorëheqjet që dhamë nuk rezultuan për të mirë”.

Me këto fjalë, Millosh Delliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, shpjegon situatën në të cilën gjendet dhe faktin se nuk ka marrë pagë për muajin mars.

Ai është njëri nga disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb që u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, në fillim të nëntorit të vitit 2022, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.

Asokohe, dorëheqje dhanë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga radhët e Listës Serbe, parti kjo që gëzon mbështetjen e Beogradit. Serbia, e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata, në bazë të së cilave do të duhej të merrnin pagë.

Mirëpo, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL), Delliq thekson se janë “mashtruar” dhe u është “luajtur loja”, sepse, siç beson ai, Lista Serbe tani po “qëron hesapet” me individët që nuk e mbështesin politikën e tyre.

“Në atë kontratë thotë se ne punojmë për komunitetin serb. Kjo është me pikëpyetje për mua, çfarë do të thotë kjo”, pyet Delliq, duke theksuar se tash Lista Serbe do t’u bëjë shantazh me kontrata dhe paga.

Millosh Delliq, me profesion stomatolog, punoi rreth pesë vjet në sistemin e Kosovës, në fushën e gjerontologjisë. Gjeronto-nikoqir/nikoqire është një program për ndihmë ndaj personave të moshuar, i cili kryesisht realizohet përmes vetëqeverisjes lokale.

Ky bashkëbisedues i REL-it thotë se i është dashur të japë dorëheqje, sepse ndaj tij ka pasur “shantazh dhe kërcënime”.

A ka raste të tjera të ngjashme?

Në një situatë thuajse identike sikurse të Delliqit, u gjend edhe kolegia e tij, Suzana Millunoviq, e cila për një gjë të tillë e fajëson Listën Serbe.

“Lista Serbe është një listë që ka vite që i bën shantazh popullit. Ne jetojmë këtu nën shantazh dhe presion. Ne shqetësohemi për familjet tona. Nëse nuk shkojmë në barrikada, na heqin menjëherë nga lista e pagave”, thotë Millunoviq.

Në veri të Kosovës, barrikadat ngrihen si formë e “rezistencës” ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Lista Serbe gjithmonë i ka përkrahur publikisht.

Edhe më parë, qytetarë të caktuar kanë deklaruar se janë “të detyruar” të shkojnë në barrikada me turne, por Lista Serbe theksoi se bëhej fjalë vetëm për vullnetin e popullit.

Delliq dhe Millunoviq theksojnë se ende shkojnë në punë, për të cilën janë paguar nga Serbia që prej dorëheqjes nga institucionet e Kosovës, por deklarojnë se nuk e kanë marrë pagën për muajin mars. Shërbimet në veri të Kosovës, të cilat u përkasin institucioneve lokale, shpesh janë të ndërthurura në mes të sistemit kosovar dhe atij serb.

Në mjediset e banuara me serbë në Kosovë funksionojnë Organet e përkohshme komunale, të cilat financohen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë. Gjithashtu, institucionet shëndetësore dhe arsimore, në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Megjithatë, ndodh punëtorët të punësohen në sistemin e Kosovës dhe më pas të angazhohen në institucionet serbe.

Një shembull i tillë është Ivana Ignjatoviq, e cila punon si mësuese në një institucion parashkollor në territorin e Komunës së Leposaviqit. As ajo nuk e ka marrë pagën e muajit mars, sipas kontratës që i ka dhënë Serbia, pasi kishte dhënë dorëheqje nga sistemi i Kosovës.

Duke folur për REL-in, ajo shpreh bindjen se po e “sanksionon” Lista Serbe, sepse nuk e përkrah politikën e tyre.

Ignjatoviq thekson se gjashtë vjet më parë edhe bashkëshorti i saj ishte shkarkuar “për arsye politike” në Komunën e Leposaviqit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Më pas, ai e fitoi rastin në gjykatë, por megjithatë, nuk u rikthye në punë.

“Tani ma kanë ndërprerë edhe pagën. Përfundimisht, kjo ndikon që populli të zhvendoset në mënyrë masive nga këtu. Siç thashë, nuk ka dyer në të cilat mund të trokasim për të marrë një zgjidhje pozitive”, thotë ajo.

A mbetën pa paga politikanët nga Lista Serbe?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe me kërkesën për të komentuar akuzat e banorëve të caktuar të Leposaviqit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka arritur ndonjë përgjigje.

Përgjigje nuk ka dhënë as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Përveç punëtorëve në institucionet e Kosovës, vitin e kaluar dorëheqje kanë dhënë edhe politikanët e Listës Serbe, në nivel lokal dhe qendror.

Megjithatë, shumica prej tyre tashmë kishin një pagë të dytë në sistemin serb, për të cilën gjë, REL-i raportoi në disa raste.

Po ashtu, dhjetë deputetë nga Lista Serbe, disa ditë pas dorëheqjes së tyre, janë zëvendësuar me nëntë deputetë të tjerë nga kjo parti, të cilët kanë dhënë betimin në Kuvendin e Kosovës.

Shpjegimi i tyre ishte se nuk donin t’i humbnin mandatet e rezervuara për komunitetin serb. Ndonëse ata nuk marrin pjesë në seancat parlamentare, marrin paga çdo muaj.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi