Serbi, Brnabiq takon shefen e UNMIK-ut

Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq ka thënë se “Prishtina plot 10 vite nuk e ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit”

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka biseduar sot me Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefen e UNMIK-ut, Karolin Zijade për Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut, i cili do të prezantohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 prill.

Siç thuhet në njoftimin nga kabineti i kryeministres, Brnabiq ka “shprehur shqetësim të madh” për sigurinë e serbëve në Kosovë, duke thënë se ata janë “vazhdimisht të ekspozuar ndaj provokimeve nga Prishtina”.

Brnabiq më tej “ritheksoi se Prishtina plot 10 vite nuk ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit” dhe shtoi se zbatimi i plotë i këtij dokumenti dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i domosdoshëm, “i cili do t’u mundësojë serbëve të ndjehen më të sigurt”.

Brnabiq raportohet të ketë theksuar se iniciativa “Ballkani i Hapur” është mundësi e shkëlqyer për të lidhur të gjithë rajonin në mënyrë që të arrihet prosperitet ekonomik si dhe një fluks më i shpejtë i njerëzve dhe mallrave.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefja e UNMIK-ut kanë thënë se qëllimi është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, “me ç’rast ajo e vlerësoi veçanërisht iniciativën ‘Ballkani i Hapur’ si një mundësi për lidhje më të mirë ekonomike të rajonit”.

Kategoritë
LajmeRajoni