Serbi, caktohet paraburgim për babanë e fëmijës që vrau 9 persona në shkollë

Djaloshi K.K. nuk është penalisht përgjegjës për shkak se nuk ka mbushur moshën 14 vjeç dhe për shkak të vëzhgimit, është vendosur në institucion përkatës psikiatrik për fëmijë dhe të rinj

Gjykata e Lartë në Beograd shqiptoi dje masën e paraburgimit 30-ditor për babanë e 13-vjeçarit K.K., i cili vrau tetë nxënës dhe rojën me armën e të atit të mërkurën në një shkollë fillore në Beograd, raporton Anadolu.

V.K. (47), babai i djalit, dyshohet për krim kundër sigurisë publike dhe se ai e ka trajnuar djalin e tij të përdorë armë zjarri dhe municione duke e çuar në poligonin e qitjes.

Babai i djalit akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit për armët dhe municionin dhe rregulloren për kushtet hapësinore-teknike për ruajtjen e sigurt të armëve, pasi nuk i ka siguruar armët dhe municionin në atë mënyrë që fëmija të mos arrijë deri tek ato.

Paraburgimi u caktua për shkak të rrethanave të veçanta që tregojnë se ai mund ta përsërisë veprën brenda një periudhe të shkurtër kohore, si dhe për faktin që për veprat për të cilat akuzohet, ligji parasheh dënim me burg mbi dhjetë vjet.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd më herët njoftoi se babai ishte marrë në pyetje dhe se ai e mohoi fajin, duke u mbrojtur në mënyrë aktive.

Djaloshi K.K. nuk është penalisht përgjegjës për shkak se nuk ka mbushur moshën 14 vjeç dhe për shkak të vëzhgimit, është vendosur në institucion përkatës psikiatrik për fëmijë dhe të rinj.

Kategoritë
LajmeRajoni