Serbi: Gjuajtja me armë zjarri në shkollën fillore në Beograd, e planifikuar prej një muaji

“Sipas informacioneve të deritanishme, fëmija K.K. e kishte planifikuar për një kohë të gjatë ekzekutimin e këtij krimi. Ende nuk është përcaktuar motivi dhe as ai nuk na ka njoftuar”, tha shefi i policisë

Fëmija me inicialet K.K., i dyshuar për gjuajtjen e mëngjesit të sotëm me armë zjarri në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, ku humbën jetën tetë fëmijë dhe një roje, sipas policisë, kishte planifikuar sulmin vdekjeprurës prej një muaji, raporton Anadolu.

Veselin Miliq, shef i administratës policore në Beograd, tha se mëngjesin e sotëm në orën 08:40, pas thirrjes së ndihmësdrejtorit të shkollës, në vendin e ngjarjes janë dërguar patrulla policore. Ai shtoi se në orën 08:42 është thirrur sërish policia nga një person i cili është prezantuar me emrin e plotë dhe ka deklaruar se ka qëlluar disa persona.

“Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, u konstatua se tetë nxënës, shtatë vajza dhe një djalë, ishin qëlluar për vdekje nga djali i lartpërmendur i cili thirri shërbimet tona të urgjencës”, tha Miliq.

Ai shtoi se të lënduar kanë mbetur edhe gjashtë nxënës, katër djem dhe dy vajza, si dhe një arsimtare.

“Kanë kaluar njëzet e pesë vjet që kur kam krijuar marrëdhënie pune në MPB. Kam qenë i përfshirë në mijëra hetime krimesh e tragjedish. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë në shoqërinë serbe dhe ndoshta është çështje e gjithë sistemit se çfarë duhet të përmirësohet dhe të bëhet”, theksoi Miliq.

Sipas tij, K.K. është privuar nga liria në vendin e ngjarjes, ku është gjetur arma me të cilën është kryer krimi.

Miliq theksoi se ky “krim ishte planifikuar dhe organizuar për një muaj”.

“Sipas informacioneve të deritanishme, fëmija K.K. e kishte planifikuar për një kohë të gjatë ekzekutimin e këtij krimi. Ende nuk është përcaktuar motivi dhe as ai nuk na ka njoftuar”, tha Miliq.

Ai tha se djali zgjodhi kabinetin e historisë sepse ishte afër hyrjes së shkollës dhe klasa e tij aty po mbante orën e parë.

Miliq më tej deklaroi se armën e zjarrit që i është gjetur ia ka marrë nga banesa babait të tij.

Ai tha se me të mbërritur në shkollë, ai ka nxjerrë menjëherë armën, ka qëlluar rojën D.V. dhe tri nxënëse.

“Më pas ka vazhduar përgjatë korridorit për në klasën e historisë, ku gjatë rrugës ka ndërruar karikatorin, ka hyrë në klasë dhe menjëherë ka qëlluar nga dera në drejtim të mësueses dhe nxënësve të tjerë”, zbuloi Miliq detajet e njohura deri më tani.

Ai shtoi se më pas nxënësi ka dalë nga klasa, ka shkuar në oborr, ku ka hequr karikatorin nga arma, e ka hedhur afër shkallëve dhe ka lajmëruar policinë.

Miliq tha gjithashtu se vetë sulmuesi ka deklaruar se kishte planifikuar ta kryejë këtë krim dhe dëshmi për këtë është fakti se ai kishte një listë të fëmijëve që kishte planifikuar t’i likuidonte.

“Planin e hyrjes dhe daljes nga shkolla e ka hartuar vetë, i cili u gjet në tavolinën e tij dhe ku ishin përcaktuar qëllimet prioritare”, tha Miliq duke treguar skicën dhe shtoi se dorasi kishte planifikuar në detaje se si të hynte në klasa dhe në cilat klasa sipas numrave t’i likuidonte fëmijët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai deklaroi se K.K. ishte nxënës dhe shok shembullor dhe nuk kishte probleme apo vështirësi që do të sinjalizonin një krim të tillë.

Kategoritë
LajmeRajoni