Së bashku me ish-kryetaren e komunës së Nishit, Dragana Sotirovski, policia serbe ka ndaluar edhe katër persona të tjerë.
Ish-kryetarja e komunës së Nishit, Dragana Sotirovski, është arrestuar sot nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Preshevë.
Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit pranë Prokurorisë së Lartë Publike në Nish për mediat lokale gjithashtu konfirmoi se aktualisht në Nish janë duke u zhvilluar kontrolle në disa lokacione në kuadër të fushatës kundër korrupsionit.
Së bashku me ish-kryetaren, policia serbe ka ndaluar edhe katër persona të tjerë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës, që u mundësoi kompanive të caktuara të përfitojnë materialisht në kundërshtim me ligjin në periudhën 2022-2024.
Policia anembanë Serbisë ka privuar nga liria dhjetëra persona për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe korrupsionit në kuadër të një sërë hetimesh dhe siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, hetimet dhe veprimet po vazhdojnë.
Ndërkohë, në shumë qytete serbe vazhdojnë protestat dhe bllokadat me kërkesa për ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për rënien e një pjese të kulmit në stacionin hekurudhor në Novi Sad vitin e kaluar, ku humbën jetën 15 persona.
Shkaku i protestave, ish-kryeministri serb Millosh Vuçeviq dha dorëheqje, pas çka nisën disa hetime në lidhje me realizimin e disa projekteve në disa qytete të Serbisë.