Serbia deklarohet “e hapur për bashkëpunim me NATO-n”, shefi i ushtrisë serbe: KFOR-i, i vetmi formacion legjitim i armatosur në Kosovë

Serbia mbetet ushtarakisht neutrale, por është e hapur për bashkëpunim me NATO-n për hir të stabilitetit dhe sigurisë në rajon, njoftoi të martën Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pas një takimi të zyrtarëve të lartë me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Stuart Munsch, raporton Radio Evropa e Lirë në serbisht.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, ministri i Mbrojtjes Bratislav Gasiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takuan me Munsch në Beograd.

Vuçiq tha se Serbia është e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me aleancën e NATO-s për ta ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

“Serbia është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me të gjithë partnerët dhe do të vazhdojë ta kundërshtojë çdo formë të veprimeve të njëanshme që mund ta kërcënojnë paqen dhe sigurinë”, tha Vuçiq.

Ministria shtoi se gjenerali Mojsiloviq bisedoi me admiralin Munsch, para së gjithash për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Serbia, në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike, e sheh KFOR-in si të vetmin formacion legjitim të armatosur në Kosovë”, i tha Mojsiloviq Admiralit Munsch, njoftoi Ministria.

Admirali Stuart Munch ndodhet në Serbi për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të kreut të Zyrës së Ndërlidhjes Ushtarake të NATO-s në Beograd.

Ushtria serbe njoftoi në shtator se është duke bashkëpunuar me misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, i cili udhëhiqet nga NATO, që nga viti 2005 në kontrollin e Zonës së Sigurisë Tokësore.

Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it kryejnë patrullime të përbashkëta në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një gjerësi prej pesë kilometrash.

“Ato janë duke u zbatuar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në shtator.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se KFOR-i dhe Forcat e Armatosura të Serbisë shkëmbejnë vazhdimisht informacione të sigurisë dhe se patrullimet e përbashkëta ndikojnë në zvogëlimin e aktiviteteve të paligjshme në zonën e kontrollit.

Serbia është anëtare e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s që nga dhjetori 2006.

Në fund të vitit 2007 shpalli neutralitetin ushtarak me Rezolutën e Kuvendit për Mbrojtjen e Sovranitetit, Integritetit Territorial dhe Rendit Kushtetues.

Në dhjetë vitet e fundit, Serbia ka mbajtur dhjetëra stërvitje të përbashkëta ushtarake me vendet e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe me Federatën Ruse dhe Bjellorusinë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, Serbia nuk ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake as me Lindjen dhe as me Perëndimin.

Përjashtim bëjnë stërvitjet ushtarake dy-javore me SHBA-në dhe vendet e tjera të NATO-s, të cilat mbahen vazhdimisht në Serbi që nga viti 2014.

Në aktivitetin e dhjetë jubilar, të mbajtur këtë vit në qershor, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se synimi është përmirësimi i ndërveprimit në operacionet e mbështetjes së paqes në një mjedis shumëkombësh.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi