Serbia dhe Egjipti miratuan deklaratën për partneritet strategjik

Presidenti serb Vuçiç dhe ai egjiptian Al Sisi miratuan një deklaratë të përbashkët për krijimin e një partneriteti strategjik mes dy vendeve, falë së cilës u nënshkruan 13 marrëveshje dypalëshe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al Sisi janë dakorduar sot se rinovimi i bashkëpunimit dhe thellimi i marrëdhënieve do të sjellë shumë për të dy vendet dhe popujt në të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç dhe Al Sisi miratuan një deklaratë të përbashkët për krijimin e një partneriteti strategjik mes dy vendeve, falë së cilës u nënshkruan 13 marrëveshje dypalëshe, përfshirë atë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe sociale.

“Jam i bindur se bisedimet e sotme kanë dhënë një impuls të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, të cilat do të shihen jo vetëm në bashkëpunimin në arenën ndërkombëtare, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare përmes bashkëpunimit politik dhe mbështetjes reciproke, por edhe në sferat më konkrete ekonomike dhe projektet e shumta në të cilat do të punojmë së bashku”, tha Vuçiç.

Ai tha se të enjten, Al-Sisi do të marrë pjesë në prezantimin e armëve të Forcave të Armatosura Serbe, sepse beson se në fushën e bashkëpunimit ushtarako-teknik, Serbia dhe Egjipti “nuk kanë asgjë për të fshehur dhe kanë shumë për t’i ofruar njëra-tjetrës”, të formojnë ndërmarrje të përbashkëta dhe të mbështeten tek njëra-tjetra në kohë të vështira.

Presidenti serb shtoi se është dakorduar për “bashkëpunim shumë të ngushtë” ndërmjet Ministrive të Jashtme të Serbisë dhe Egjiptit në institucionet dhe forumet ndërkombëtare.

Vuçiç vlerësoi se vizita e Al Sisit për Serbinë ka karakter historik dhe se janë nënshkruar marrëveshje për zgjerimin e bashkëpunimit me Egjiptin.

Al Sisi tha se Egjipti pret bashkëpunim akoma më të fuqishëm me Serbinë në të gjitha sferat dhe rikujtoi për bashkëpunimin historik të dy vendeve.

“Të gjithë në Egjipt e dinë se Serbi do të thotë – Josip Broz Tito, i cili vlerësohet në Egjipt po aq sa (Gamal Abdel) Nasser vlerësohet në Serbi”, tha Al Sisi.

Ai theksoi se me Vuçiçin diskutuan për ngjarjet në Palestinë, Libi dhe Ukrainë dhe se si kriza ndikon në ekonomi. Al Sisi theksoi se vizioni i Egjiptit është që të gjitha të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe përmes marrëveshjeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për krizën ukrainase.

Vuçiç theksoi se Serbia do të bëjë gjithçka që deri në mars të vendoset një linjë ajrore direkte ndërmjet Beogradit dhe Kajros dhe paralajmëroi se negociatat për tregtinë e lirë ndërmjet Serbisë dhe Egjiptit duhet të përfundojnë deri në fund të tetorit.

Duke folur për bashkëpunimin në turizëm, Vuçiç theksoi se “serbëve u pëlqen të shkojnë në Egjipt, do të shkojnë edhe më shpesh”.

“Kur turistët mendojnë të mos shkojnë në Egjipt, kur shfaqet një peshkaqen, asnjë serb nuk do të dëshirojë të largohet nga Egjipti, peshkaqenët nuk mund të na bëjnë asgjë, kështu që ne shijojmë Detin e Kuq të mrekullueshëm të Egjiptit”, tha Vuçiç.

Ai paraprakisht përgatiti një pritje ceremoniale për Al-Sisin para Pallatit të Serbisë, me nderime ushtarake dhe shtetërore.

Vuçiç më pas e dekoroi Al-Sisin me Urdhrin e Republikës së Serbisë në një shirit për meritat e tij të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore midis Serbisë dhe Egjiptit.

Në bazë të deklaratës për vendosjen e një partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve të miratuar nga Vuçiç dhe Al Sisi, u nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë, memorandum mirëkuptimi midis dy qeverive në fushën e bujqësisë dhe një program bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe artit. Është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Qendrës së Filmit të Serbisë dhe Qendrës egjiptiane të filmit. Të dyja palët nënshkruan një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Al Sisi ka mbërritur në Beograd të martën pasdite, ndërsa për sot është planifikuar një takim me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç. Përpara vizitës në Beograd ai ishte për një vizitë zyrtare në Gjermani, ndërsa nga Serbia shkon në Francë.

Vuçiç tha se beson në kontakte dhe vizita më të shpeshta dhe falënderoi Al Sisin që ka gjetur një vend për të qëndruar në Serbi ndërmjet vizitave të tij në Gjermani dhe Francë.

Kategoritë
LajmeRajoni