Serbia do t’i dhurojë Iranit 50.000 doza të vaksinave kundër COVID-19

Duke folur në Teheran, ku mori pjesë në inaugurimin e presidentit Ebrahim Raeisi të enjten, kryetari i parlamentit serb Ivica Daçiç tha se Irani është një mik tradicional i Serbisë.

Serbia sot ka paralajmëruar se do t’i dhurojë Iranit 50.000 doza të vaksinës ruse Sputnik V kundër koronavirusit.

Duke folur në Teheran, ku mori pjesë në inaugurimin e presidentit Ebrahim Raeisi të enjten, kryetari i parlamentit serb Ivica Daçiç tha se Irani është një mik tradicional i Serbisë.

“Ne kemi pasur gjithmonë mirëkuptim reciprok për të gjitha problemet, standardet e dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare. Irani nuk e ka njohur Kosovën dhe mbështet Serbinë në organizatat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Serbia kujdeset për interesat e Iranit”, tha Daçiç për televizionin shtetëror serb RTS.

Ai shtoi se Beogradi dhe Teherani duan të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik për zhvillim.

Serbia ka kryer vaksinimin e dytë më të shpejtë në Evropë deri më tani.

Shifrat e fundit tregojnë se 39 për qind e popullatës së Serbisë janë vaksinuar plotësisht.​​​​​​​

Kategoritë
BotaLajme