Serbia e kërkon në Bruksel lëvizjen e kufijve të Mitrovicës së Veriut si kusht për hapjen e Urës

Kryenegociatori i Serbisë për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq tha se në Bruksel sot ka kërkuar demarkim në zonën e fshatit Suhodoll si parakusht për hapjen e urës që e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

“Në pjesën ligjore kërkojmë respektimin e marrëveshjes ku insistojmë në demarkacion në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviq nga Brukseli, raportojnë mediat serbe.

Ai nuk pati një takim me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, duke e akuzuar zëvendëskryeministrin se nuk deshi takim trepalësh.

“Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit sepse ne kemi insistuar në tema si Asociacioni, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Imagjinoni kur ai nuk do të flasë për ato gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se ia ka prezantuar emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak masat që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i përmendi të premten lidhur me situatën në Kosovës.

Ai tha se kishte shumë tema në tavolinë.

Pas këtij takimi, mediat në Beograd shkruajnë se Petkoviq do të shkojë në takim edhe me përfaqësues të NATO-s në Bruksel, me të cilët do të bisedojë për çështjen e urës së Ibrit.

“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha ai.

Bislimi tha se ishte Petkoviq që refuzoi takimin trepalësh.

Zyra e Kryeministrit tha në një komunikatë ku njoftoi për takimin e Bislimit me Lajçak se “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.

“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Kategoritë
BotaLajmeRajoniVendi