Serbia fillon të harmonizojë politikën e vizave me BE-në

Serbia do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme deri në fund të vitit 2026, në mënyrë që të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në BE, që është një nga prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka bërë të ditur se vendi ka filluar të harmonizojë regjimin e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian (BE), si një ndër masat për t’u përafruar me standardet e bllokut evropian, duke theksuar se reformat e nevojshme do të zbatohen deri në fund të vitit 2026 për të përmbushur kushtet për anëtarësim të plotë në BE.

“Duke harmonizuar politikën e vizave me BE-në, Serbia merr pjesë aktive në masat e sigurisë në luftën kundër emigrantëve të paligjshëm, krimit dhe formave të tjera të aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare”, tha ministria serbe.

Më tej, theksohet se Serbia do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme deri në fund të vitit 2026, në mënyrë që të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në BE, që është një nga prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Serbisë.

“Procesi i anëtarësimit në BE ka dy komponentë po aq të rëndësishëm, atë teknik dhe politik. Një proces i suksesshëm i anëtarësimit në BE kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, përkatësisht një ekuilibër midis reformave teknike dhe strategjisë politike”, tha ministria.

Nga atje theksuan se Ministria e Punëve të Jashtme përfaqëson Serbinë në skenën ndërkombëtare, duke punuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet anëtare të BE-së, ndërtimin e besueshmërisë së Serbisë dhe zgjidhjen e të gjitha çështje gjeopolitike që mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit në BE.

Në këtë kontekst, theksohet më tej, kjo ministri ka një nga rolet kyçe në prezantimin e reformave të realizuara dhe në komunikimin me institucionet dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim përparimin e mëtejshëm të vendit në procesin e negociatave.

Ndërkohë, marrëveshja e vitit 2013 midis qeverisë të Serbisë dhe Mongolisë për heqjen e vizave për qytetarët e të dy vendeve ka pushuar vlefshmërinë në mars të këtij viti dhe prej asaj kohe qytetarëve mongolë u është kërkuar vizë për të hyrë në Serbi.

Siç u tha në njoftimin e ministrisë serbe, përafrimi i regjimit të vizave nga Serbia me regjimin e vizave të BE-së në lidhje me Katarin, Kuvajtin, Omanin dhe Mongolinë u zbatua në bazë të Konkluzionit për Miratimin e Agjendës së Reformës së Serbisë 2024-2027 në përputhje me Planin e Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, i cili u krijua nga Qeveria e Serbisë në tetor të vitit 2024.

Në bazë të obligimeve që Serbia ka marrë në atë dokument, që nga 14 dhjetori i vitit 2024, qytetarëve të Katarit dhe Omanit, si dhe qytetarëve të Kuvajtit do t’u duhet vizë për të hyrë në Serbi.

Kategoritë
LajmeRajoni