“Serbia i prish planet Kosovës”, loboi që anëtarësimi në KiE të hiqet nga agjenda

Përpjekjet diplomatike të Serbisë kanë arritur që ta nxjerrin nga agjenda kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në Strasburg.

Shefja e Misionit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Aleksandra Gjuroviç u tha medieve serbe se shumica e përfaqësuesve u pajtuan me kërkesën e Beogradit.

Kërkesa e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës është dorëzuar më 12 maj.

Serbia që prej kësaj date e ka kundërshtuar kërkesën e Kosovës me pretendimin se Prishtina është pjesë e territorit të Serbisë.

Lobimi serb duket se ka gjetur terren te 12 shtetet që janë pjesë e Këshillit të Evropës dhe që nuk e njohin ende Kosovën.

Shteti i udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç pretendon se Kosova nuk i përmbush standardet e Këshillit të Evropës, për gjoja shkeljen e të drejtave të pakicave etnike, si serbët në veri.

Procedura për pranimin e një anëtari të ri në Këshillin e Evropës i cili përbëhet nga 46 shtetet është komplekse.

Deri më 9 nëntor 2022, Komiteti i Ministrave të KiE-së kryesohet nga Irlanda dhe më pas gjashtë muajt e ardhshëm do të drejtohet nga Islanda.

Kategoritë
LajmeRajoni