Serbia nuk do të njohë rezultatet e referendumeve separatiste në Ukrainë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, tha sot se Serbia nuk do t’i njohë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës, ku qytetarët deklarojnë nëse duan t’i bashkohen Rusisë.

Selakoviq shpjegoi në një konferencë për shtyp në Beograd se Serbia nuk mund t’i pranojë ato rezultate, së pari, për shkak të përkushtimit të saj ndaj Kartës së OKB-së dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Së dyti, do të ishte në kundërshtim me politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, shpjegoi Selakoviq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë përfshin plani i konsultimit, të cilin ai e nënshkroi me kreun e diplomacisë ruse Sergej Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, dhe çfarë lloj mesazhi i dërgon BE-së, Selakoviq u përgjigj se ato që as nuk e kanë parë të sulmojnë atë dokument, e lëre më të lexojnë.

“Gjithçka që lidhet me sulmin dhe pyetjet lidhur me atë plan është kërkim i një arsyeje të mjaftueshme për të sulmuar Serbinë dhe një përpjekje për të disiplinuar Serbinë”, tha Selakoviq.

Ai tha se plani i konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë nënshkruhet që nga viti 1996, çdo dy vjet, duke theksuar se bëhet fjalë për çështje teknike si marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe.

Selakoviq ka theksuar se ky plan nuk ka të bëjë me temat e konsultimeve për politikën e sigurisë, duke shtuar se Serbia negocion dhe bashkëpunon me të gjitha vendet, veçanërisht me ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë.

Ai ka theksuar se Qeveria e Serbisë ka mundësi ta refuzojë atë plan, por se ai personalisht nuk e sheh pse do ta bëjë këtë.

Kategoritë
LajmeRajoni