Serbia po blen dronë dhe sisteme artilerie nga Izraeli, publikim misterioz nga një kompani izraelite?

Në një deklaratë të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi blerjen e sistemeve të reja luftarake, specifikimet e të cilave përputhen me një njoftim të kohëve të fundit të një kompanie izraelite për shitje te një “shtet europian i paemëruar”.

Sipas portalit serb Tangosix, në fjalën e tij të fundit, presidenti Vuçiç bëri të ditur blerjen e një pakete të re armatimi dhe pajisjesh. Ai theksoi se Serbia ka nënshkruar së fundmi marrëveshje për blerjen e sistemeve artilerie tokë-tokë me precizion të lartë.

“Bëhet fjalë për armën më të sofistikuar në botë, me komunikim të drejtpërdrejtë nga qendra komanduese, nga droni te artileria raketore, e cila menjëherë godet objektivin dhe shkatërron gjithçka. Pa gabime. Më e fuqishme se HIMARS-i. Atëherë ju e kuptoni çfarë po blejmë,” deklaroi Vuçiç.

Përveç sistemit të ri artilerik, Serbia po përgatitet të blejë edhe një dron të ri, i cili pritet të jetë shumë më i avancuar krahasuar me flotën ekzistuese që zotëron Ushtria Serbe.

“Ne kemi blerë gjithashtu disa nga sistemet më të mira të dronëve në botë, të cilët pritet të mbërrijnë deri në vitin 2025,” shtoi Vuçiç.

Edhe pse prodhuesi i këtyre dronëve nuk është përmendur, deklarata e kompanisë Elbit Systems, një prej liderëve izraelitë në industrinë ushtarake, është mjaft sugjeruese. Kjo kompani njoftoi së fundmi se kishte nënshkruar kontrata me vlerë 335 milionë dollarë me një “shtet europian të paemëruar” për blerjen e sistemit raketor tokë-tokë PULS dhe dronëve luftarakë Hermes 900.

Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për këto sisteme dhe për Izraelin si shtetin nga i cili Serbia do të marrë këtë armatim, përputhjet dhe koha janë shumë sugjestive.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet izraelito-serbe janë në një nivel shumë të lartë, duke pasur parasysh se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vizitoi së fundmi Beogradin.

Marrëdhëniet mes Tel Avivit dhe Beogradit janë intensifikuar veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Gaza dhe Liban, pasi që nga ajo kohë eksporti i armëve nga Serbia në Izrael ka pësuar një rritje të ndjeshme.

Kategoritë
LajmeRajoni