Serbia po e maskon refuzimin e planit franko-gjerman me dramat në veri të Kosovës

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të Komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit”, theksoi Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia duke përdorur serbët e Kosovës të cilët hoqën dorë nga institucionet kosovare po e maskon refuzimin e saj të planit franko-gjerman për marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, Kurti tha se pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë të shtunën, presidenti serb ka pasur takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Serbi, gjë e cila, sipas kryeministrit Kurti tregon se “Vuçiq takohet e koordinohet me Kinën e Rusinë ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe Bashkimin Evropian (BE)”.

Kurti tha se ajo çfarë po ndodh tani në veriun e Kosovës shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane, gjegjësisht të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane.

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të Komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit dhe tani duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ja kanë bërë Evropës, BE-së, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale”, theksoi Kurti.

Kurti tha se përpjekjet e Serbisë do të jenë të pasuksesshme, sepse sipas tij,Kosova është e fortë dhe demokratike që ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë dhe aspekt duke qenë e rreshtuar edhe me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n.

Me këto veprime, tha Kurti, Serbia qartazi po do ta sabotojë dialogun.

Sa i përket largimit të zyrtarëve të partisë Lista Serbe nga institucionet e Kosovës, Kurti tha se bojkotet nuk janë zgjidhje, derisa u bëri thirrje atyre që as të mos i bojkotojnë dhe as të mos i braktisin institucionet.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve serb as mos i bojkotoni as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët përfshirë edhe serbët. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, theksoi Kurti, duke shtuar se Serbia po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga ana e tij, tha se aktualisht situata është e qetë në veri ndërsa përkushtimi i Policisë është që të kalojnë çdo sfidë që paraqitet. Ai tha se Policia është garantuese për të gjithë pa dallime etnie në gjithë territorin e Kosovës.

“Asnjë aksion i Policisë në Kosovës nuk ka qenë asnjëherë i drejtuar ndaj asnjë etnie siç është propaganduar se është bërë kundër etnisë serbe”, theksoi Sveçla.

Sveçla tha se krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i zhvilluar dhe mirëmbajtur ndër vite. Ai njofti se për një periudhë afër një vjeçare në këtë pjesë të Kosovës janë bërë 38 operacione dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin me njerëz dhe ndalimin e veprimeve tjera ilegale.

Sveçla tha se që nga fillimi i hapjes së mundësisë për legalizimin e targave, në veri janë djegur pesë vetura.

Largimi i serbëve nga institucionet kosovare

Më 5 dhe 6 nëntor zyrtarët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, pozitat e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësori, prokuroria dhe administrata, derisa të dielën serbët e Kosovës protestuan në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes me tre faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të qeverisë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor makinat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin “fleta qortuese” në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar të vitit 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

Kategoritë
LajmeVendi