Vuçeviq ka reaguar ndaj aksionit të sotëm të policisë së Kosovës në disa lokacione, ku autoritetet kosovare kanë deklaruar se janë mbyllur të gjitha “institucionet paralele serbe”
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka theksuar se po vazhdon “tortura e turpshme dhe e paligjshme e serbëve” nga Albin Kurti, kryeministri i Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vuçeviq ka reaguar ndaj aksionit të sotëm të policisë së Kosovës në disa lokacione, ku autoritetet kosovare kanë deklaruar se janë mbyllur të gjitha “institucionet paralele serbe”.
Vuçeviq tha se “policia e Kurtit bastisi objektet e organeve të përkohshme” dhe institucioneve të tjera në disa qytete në jug të lumit Ibër, duke shtuar se, “Tortura e turpshme, e paligjshme e serbëve në Kosovë dhe Metohi nga Albin Kurti vazhdoi këtë mëngjes”.
“Ne po monitorojmë me vigjilencë zhvillimin e mëtejshëm të situatës dhe do të marrim të gjitha masat për të mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit, i cili me sa duket e ka shndërruar fushatën e tij zgjedhore në vazhdim të shfryerjes ndaj popullit tonë”, tha kryeministri serb.
Ndërkaq, sipas mediave lokale, drejtori i Zyrës për Kosovë dhe kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq, i kanë ndërprerë dhe i kanë braktisur bisedimet me Prishtinën në Bruksel.
Sot në Bruksel ishte paraparë të mbahej mbledhja e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, si fillim i zbatimit të marrëveshjes së dialogut.