Në maj të vitit të 2023-ës, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq përmes një deklarate ranë dakord të themelojnë një Komision të Përbashkët që do të sillte ‘fundin e vuajtjeve’ të familjarave të të zhdukurve nga lufta e fundit. Në këtë deklaratë u njoh kjo çështje si humanitare dhe u vu në dukje edhe “nevoja urgjente për përpjekje shtesë”, por sot kur pati në plan të mbahej takimi i parë i këtij Komisioni, Serbia shfrytëzoi një aksion policor në Kosovë për të lëshuar takimin. Kosova akuzoi Serbinë se e dërgoi Petar Petkoviqin për ta orkestruar pikërisht këtë dështim.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, të cilit në përfundim të mandatit iu desh të kryesojë takimin e Komisionit të Përbashkët të Kosovës e Serbisë për të zhdukurit, doli me një postim në X për të treguar se ai dështoi.
“Sot patëm në plan të mbajmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel zëvendësish. U takova veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, shkroi Lajçak pak më herët, duke mos dhënë detaje të tjera nëse do të mund të organizohet një takim tjetër sërish.
Sot Policia e Kosovës në dhjetë komuna të vendit ka mbyllë komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore. Policia tha se qëllimi i operacionit ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.
Para Lajçakut, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, tha se takimi s’u realizua, duke akuzuar Serbinë që “një proces teknik jetik” e ktheu në një mjet “të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.
Ai tha se meqë takimi ka qenë i formatit me zëvendësues të komisioneve, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, s’do të duhej të ishte në Bruksel, por tha se ai shkoi atje për të orkestruar dështimin e takimit.
“Takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve. Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve. Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, tha Hoti.
Duke thënë se Serbia po e politizon çështjen e personave të zhdukur, Hoti tha se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim, përveç që banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel.
Për shkak se Serbia ishte ajo që refuzoi të merrte pjesë për të diskutuar një çështje humanitare, Hoti tha se kanë marrë njoftim nga Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti dhe kërkesat e tyre tek vendet anëtare të BE-së.
Ndërkohë, Petkoviq para gazetarëve në Bruksel, tha se e kanë “braktisur atë takim” për shkak të ndodhive në Kosovë.
“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai.
I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.
Më 2 maj, Kurti dhe Vuçiq përmes një deklarate të përbashkët, e cila ka mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, ata u zotuan së bashkuar për:
për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve ku janë varrosur dhe për të vazhduar me gërmimet,
për të siguruar qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave që ende janë të zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur,
për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Europian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,
për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës