Serena Williams largohet nga “Wimbledon 2022” pasi humbi në raundin e parë

Tenistja franceze Harmony Tan befasoi me fitoren e saj ndaj fitueses së 23-fishtë të Grand Slam.

Veteranja amerikane e tenisit Serena Williams u largua para kohe nga kampionati “Wimbledon 2022”, pasi fituesja e 23-fishtë e Grand Slam pësoi humbje shokuese nga francezja Harmony Tan të martën vonë.

Tan (24) e cila në renditjen botërore zë vendin e 115-të, fitoi kundër 40-vjeçares Williams me sete 7:5, 1:6, 7:6 (10:7) në ndeshjen e raundit të parë.

Tan në raundin e dytë do të përballet me tenisten spanjolle, Sara Sorribes Tormo. Williams më parë vulosi shtatë herë titullin e Wimbledon-it në teke për femra, e fundit prej të cilave ishte në 2016.

Ajo pësoi një dëmtim në këmbë në “Wimbledon 2021” që e detyroi të tërhiqej nga kampionati.

Williams u kthye në Wimbledon pas një mungese një vjeçare për shkak të lëndimit.

Në konkurencën e meshkujve, ylli spanjoll Rafael Nadal eliminoi kundërshtarin e tij argjentinas Francisco Cerundolo me sete 6:4, 6:3, 3:6 dhe 6:4 duke kaluar në raundin e dytë.

Nadal, tenisti i dytë në botë, do të luajë kundër Ricardas Berankis të Lituanisë.

“Wimbledon 2022”, Grand Slam-i i tretë i vitit, filloi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 10 korrik.

Kategoritë
Sport