Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se qëndrueshmëria kombëtare është themeli mbi të cilën ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet.
Osmani në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, ka thënë se qëndrueshmëria kombëtare është më shumë se një nevojë. E para e vendit ka thënë se institucionet tona duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment që të përballen me çfarëdo sfida të sigurisë.
Ajo këtu përmendi sulmet hibride dhe sfidat kibernetike. Osmani potencoi se mbrojtja nga sulmet hibride është e domosdoshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Qëndrueshmëria kombëtare është themeli mbi të cilën ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet. Një shtet është po aq i sigurt sa janë të forta edhe hallkat e tij të sigurisë, në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë nga luftërat konvencionale tek sulmet hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është inovative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar. Kosova ka dëshmuar historikisht qëndrueshmëri, ndaj na takon ta kthejmë atë në një strategji afatgjate për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Siguria nuk është vetëm mungesa e kërcënimeve, por qëndrueshmëria kundrejt çfarëdo situate me të cilën përballemi. Programi kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse përfaqëson një angazhim konkret për ta ndërtuar një sistem të fuqishëm mbrojtës dhe të qëndrueshëm. Në këtë linjë edhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse si dhe integrimi në NATO janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën.
Zhvillimi i FSK-së sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik e kombëtar. Ne synojmë një ushtri moderne, të ndërveprueshme dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë krah për krah me ushtritë tjera aleate brenda NATO-s. Ky synim është në kuadër të vizionit shtetëror për anëtarësim sa më të shpejtë në këtë aleancë. Prandaj investimi i vazhdueshëm në armatim, si dhe personelin tonë ushtarak e mirëqenien e tyre është jetik, ashtu siç është edhe investimi i vazhdueshëm në institucionet e tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme. Mbrojtja nga sulmet hibride është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të qëndrueshme. Një ekonomi e fuqishme e mbështet edhe mbrojtjen. Institucionet tona duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment. Për të qenë të gatshëm të përballemi me këto sfida të sigurisë na nevojitet përfshirja e gjithanshme e e të gjitha hallkave të shoqërisë sonë. Shembulli i reagimit tonë në sulmin në Ibër Lepenc ka treguar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, por mbi të gjitha profesionalizmin e institucioneve të sigurisë”, tha Osmani. /Reporteri.net/