Shansi i fundit për Manajn, skuadra e Trabzonspor gati sulmin përfundimtar për sulmuesin

Kjo situatë e paqartë do të përfundojë në pak ditë.

Rey Manaj ende ka shumë shpresë të shkojë te Trabzonspor, një emër i rëndësishëm i elitës së futbollit turk, i cili po bën gati sulmin e fundit për ta marrë “yllin” e Kombëtares shqiptare.

Skuadra e shquar turke ka gati një muaj që nuk ka shënuar gol, dhe zgjidhja e vetme e këtij problemi është që të forcojë sulmin, me Manajn, që është një nga emrat më të pëlqyer për drejtuesit, ndonëse ai nuk është i vetmi, pasi në listë janë edhe sulmues të tjerë si holandezi Wout Weghorst dhe “shtatlarti” nigerian, Paul Onuachu i Southampton.

Skuadrës së Trabzonspor i duhet të paktën edhe një sulmues dhe interesi për Manajn ka qenë që më parë, madje ka pasur bisedime mes palëve dhe me merkaton e transferimeve shumë pranë mbylljes për këtë stinë vere klubi turk duhet të veprojë shpejt.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka dy avantazhe ndaj rivalëve,

Ai është më i ri në moshë, 27 vjeç, dhe kartoni i tij kushton më lirë, rreth 5 milionë euro, ndërsa Onuachu arrin në 13 milionë, po ashtu, Manaj ka përvojë në Superligën turke, diçka që nuk e ka holandezi Weghorst, ndërsa nigeriani ishte vjet i huazuar te Trabzonspor duke shënuar 15 gola.

Megjithatë golat e “shtatlartit” të sulmit, nuk krahasohen me “bomberin” tonë, i cili sezonin e kaluar dërgoi topin plot 18 herë në rrjetë, duke u parakaluar vetëm nga “yje” të këtij sporti, si Edin Dzeko e Mauro Icardi.

Kategoritë
Sport