SHBA ashpërson gjuhën ndaj Rusisë: Ka kryer krime kundër njerëzimit të Ukrainë

Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, përmes zv/presidentes, Kamala Harris, SHBA përcaktoi zyrtarisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë akuzoi ushtrinë dhe autoritetet ruse se kanë kryer akte të tmerrshme, vrasje, torture dhe përdhunime gjatë luftës në Ukrainë dhe shtoi se autorët e tyre do të mbajnë përgjegjësi.

OKB i përkufizon krimet kundër njerëzimit si sulme të përhapura ose sistematik ndaj një popullsie të caktuar civile.

Ndërkohë që Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë shënjestruar civilët gjatë pushtimit të saj në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt.

“Në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ne kemi shqyrtuar provat, sipas standardeve ligjore dhe nuk ka dyshim, këto janë krime kundër njerëzimit”, tha në konferencë Harris.

Ajo përmendi mizoritë barbare dhe çnjerëzore gjatë luftës në Ukrainë, duke përfshirë shumë trupa të gjetur në Bucha dhe Mariupol.

Janë 15 krime që përllogariten si krim kundër njerëzimit, mes tyre vrasja, skllavërimi, tortura, përdhunimi dhe dëbimi.

Krimet kundër njerëzimit gjykohen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por ajo nuk ka kompetenca për të arrestuar të dyshuarit dhe mund të ushtrojë juridiksion vetëm brenda vendeve që kanë nënshkruar marrëveshjen për ngritjen e kësaj gjykate.

Kategoritë
BotaLajme