SHBA dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje për të hetuar kompanitë publike

Bordi Mbikëqyrës i Kontabilitetit të Kompanive Publike, me qendër në Washington, tha se ka arritur marrëveshje për “qasje të plotë në dokumentet e punës së auditimit, personelin e auditimit dhe informacione të tjera”

SHBA dhe Kina nënshkruan një marrëveshje për të “inspektuar dhe hetuar kompanitë e regjistruara të kontabilitetit publik me seli në territorin e Kinës dhe Hong Kongut”, që është një përparim i madh në kohën kur kompani kineze janë hequr nga tregu i aksioneve amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bordi Mbikëqyrës i Kontabilitetit të Kompanive Publike (PCAOB), me qendër në Washington, tha në një deklaratë se nënshkroi një Deklaratë Protokolli me autoritetet kineze, “duke hedhur hapin e parë drejt qasjes së plotë për PCAOB për të përzgjedhur, inspektuar dhe hetuar në Kinë”.

Marrëveshja u nënshkrua nga PCAOB, Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë të Kinës dhe Ministria e Financave e Kinës.

“Marrëveshja e nënshkruar sot i jep PCAOB-së qasje të plotë në dokumentet e punës së auditimit, personelin e auditimit dhe informacione të tjera që na nevojiten për të inspektuar dhe hetuar çdo kompani që përzgjedhim, pa zbrazëtira dhe pa përjashtime. Por testi i vërtetë do të jetë nëse fjalët e dakorduara në letër përkthehen në qasje të plotë në praktikë”, tha kryetarja e PCAOB-së, Erica Y. Williams.

“Sot, udhëzova ekipin e inspektimit të PCAOB-së që të finalizojë përgatitjet e tyre për të qenë në terren deri në mes të shtatorit, në mënyrë që të mund ta vëmë në provë këtë marrëveshje”, shtoi ajo.

PCAOB është themeluar nga Kongresi i SHBA-së për të mbikëqyrur auditimet e kompanive publike për “të rritur interesin publik në përgatitjen e raporteve informative, të sakta dhe të pavarura të auditimit”.

Bordi gjithashtu mbikëqyr auditimet e ndërmjetësve dhe tregtarëve të regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit, si dhe raportet e pajtueshmërisë të paraqitura në përputhje me ligjet federale të letrave me vlerë në SHBA.

PCAOB do të ketë “diskrecionin e vetëm për të zgjedhur kompanitë, angazhimet e auditimit dhe shkeljet e mundshme që ajo inspekton dhe heton, pa konsultim dhe pa ndërhyrje nga autoritetet kineze”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme