“SHBA dhe Rusia janë në prag të një konflikti të armatosur”, thotë ministri rus

“Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në prag të konfliktit të armatosur”. Këtë e ka pranuar në një intervistë për televizionin publik rus, zëvendësministri i Jashtëm, Sergej Ryabkov, duke përcaktuar kështu situatën mes Moskës dhe Uashingtonit.

“Ne po punojmë për të parandaluar që marrëdhëniet me SHBA të zhyten në humnerën e konfliktit të hapur të armatosur. Tashmë jemi duke qëndruar në buzë të kësaj gremine”, deklaroi ai.

Këto deklarata vijnë 48 orë pas sulmit ndaj Kremlinit me dy dronë dhe për të cilat Rusia akuzoi drejtpërdrejt Ukrainën si përgjegjëse dhe më vonë Amerikën.

Zëvendësministri Ryabkov akuzoi gjithashtu SHBA-në se “vazhdon politikat e saj të përshkallëzimit” me qëllim “përdorimin e vartësve të saj në Kiev, kukullave të saj, për të organizuar dhe kryer akte provokuese gjithnjë e më të guximshme dhe të rrezikshme”. Në Kremlin mbeten të bindur se pas sulmit ndaj selisë së qeverisë ruse qëndron Shtëpia e Bardhë, ndërsa në kryeqytetin amerikan e mohojnë kategorikisht këtë version.

“Ne nuk kemi gisht”, tha zëdhënësi John Kirby.

Rusia vuri në dukje faktin se SHBA nuk e dënoi sulmin me dronë.

“Ne shpresonim që administrata amerikane do të kishte guximin dhe dinjitetin për të dënuar këtë akt terrorist. Sot, Shtetet e Bashkuara po mbrojnë kriminelët në Kiev”, tha ambasadori rus në SHBA, Anatoli Antonov.

Pushtimi i Ukrainës shkatërroi plotësisht marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, duke u përkeqësuar njësoj dhe madje më shumë se gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Marrëdhëniet që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe me ardhjen e Vladimir Putinin në presidencën ruse, kanë përjetuar ulje-ngritje të ndryshme vitet e fundit. Vetëm me Donald Trump pati një marrëdhënie të përzemërt, deri në sanksionet kundër kompanive ruse dhe bombardimet amerikane të një baze ajrore ruse në Siri.

Sipas një dokumenti të hartuar së fundmi nga Kremlini, i cili përcakton bazat se si do të jetë veprimi i qeverisë në skenën ndërkombëtare, politika e jashtme në lidhje me Shtetet e Bashkuara do të jetë më luftarake, duke luftuar ndikimin amerikan në të gjithë botën. Në disa shtojca, shprehet qëllimi i Rusisë për të “eliminuar gjurmët e dominimit të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera armiqësore në çështjet botërore”.

Kategoritë
BotaLajme