Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, ka theksuar se SHBA-ja ka riafirmuar edhe një herë përkushtimin e tyre për të forcuar sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
SHBA-ja do të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve për helikopterë, radarë dhe mbrojtje ajrore, duke kontribuuar në përgatitje dhe siguri strategjike të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, ka theksuar se SHBA-ja ka riafirmuar edhe një herë përkushtimin e tyre për të forcuar sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm”, tha Maqedonci.
Ai shtoi se përmes mbështetjes konkrete kjo iniciativë jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin e Kosovës si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë.
Maqedonci, i cili po qëndron në SHBA bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, dje kanë takuar në Departamentin e Shtetit, zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Alexander Kasanof.
Në këtë takim, ministri kosovar tha se u ritheksua rëndësia e vazhdimit të mbështetjes së diplomacisë amerikane në aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, veçanërisht në NATO.