SHBA e shqetësuar nga bastisja e ushtrisë izraelite në Nablus të Bregut Perëndimor

“Palët në mënyrë urgjente duhet të punojnë së bashku për të përmirësuar situatën e sigurisë në Bregun Perëndimor”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Price

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha se janë të shqetësuar nga humbjet e jetëve dhe plagosjet e civilëve në bastisjen që ushtria izraelite ka kryer në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu.

Në një konferencë ditore për media, Price tha: “Jemi të shqetësuar nga niveli i dhunës në Izrael dhe Bregun Perëndimor. Në operacionin e Izraelit kundër terrorizmit në Nablus, përfshirë militantë u vranë 10 palestinezë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit. Zemra jonë është me familjet e civilëve që janë vrarë atje. Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet reale të sigurisë me të cilat Izraeli po përballet. Në të njëjtën kohë jemi thellë të shqetësuar për numrin e madh të të plagosurve dhe humbjet e jetëve civile”.

“Palët në mënyrë urgjente duhet të punojnë së bashku për të përmirësuar situatën e sigurisë në Bregun Perëndimor”, theksoi Price i cili vuri në dukje se i bëjnë thirrje Izraelit të heqë dorë nga veprimet të cilat do të ndezin tensione të tilla si nxjerrjen e familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre, shembjet, vendbanimet e paligjshme.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë nën mbrojtje dhe siguri. Jo vetëm në këto ditë kur tensionet janë përshkallëzuar, por që kur kjo qeveri ka ardhur në detyrë ne vazhdimisht u kemi kërkuar izraelitëve dhe palestinezëve të distancohen nga hapat që do të ndezin dhe intensifikojnë tensionet”, deklaroi Price.

Masakër nga ushtria izraelite në Nablus

Forcat izraelite dje në mëngjes kryen bastisje në disa pika në qytetin Nablus në veri të Bregut Perëndimor.

Ushtarët izraelitë të cilët rrethuan një shtëpi në zonën historike të Qytetit të Vjetër në Nablus, ndërhynë me plumba të vërtetë ndaj palestinezëve që protestuan bastisjen, ku si pasojë u vranë 11 palestinezë përfshirë një fëmijë, dy të moshuar si dhe u plagosën mbi 100 palestinezë të tjerë, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Kategoritë
BotaLajme