SHBA forcon mbrojtjen në Kosovë, sjell 300 ushtarë shtesë

Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës janë nisur për në Kosovë në një mision nëntë mujor që për fokus ka garantimin e sigurisë për kosovarët.

Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë së Divizionit të 38-të të Këmbësorisë, i cili përfshin afërsisht 20 ushtarë nga Indiana Veriperëndimore, u nis nga kampi Atterbury të shtunën si Task Force Nighthawk dhe fillimisht u ndal në Gjermani gjatë rrugës për në Kosovë.

Kur të arrijnë në Kosovë, ushtarët e task-forcës do të udhëheqin Komandën Rajonale – Lindje, nën autoritetin e NATO-s në mbështetje të Operacionit Joint Guardian, një mision shumëkombësh që ruan lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që nga viti 1999.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta, dhe se qëllimi ynë i përbashkët për shtete të pavarura, multietnike me shoqëri që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor është realizuar”, ka thënë gjeneralmajori Dale Lyles, transmeton Telegrafi.

Hoosiers janë rotacioni i 31-të i forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara me bazë në Kampin Bondsteel në Kosovë.

Koloneli Chris Mabis, udhëheqës i Task Force Nighthawk, tha gjatë ceremonisë së nisjes se ushtarët e Gardës Kombëtare të Indianës “përfaqësojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar”.

“Të gjithë ata që janë këtu janë ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësues të Hoosierit”, tha Mabis.

Ai gjithashtu falënderoi familjet e ushtarëve që lejuan anëtarët e tyre të përfaqësojnë Indianën dhe Shtetet e Bashkuara dhe t’u shërbejnë njerëzve në nevojë, larg shtëpive të tyre.

Kujtojmë se trupa nga Polonia, Zvicra, Letonia, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia po ashtu shërbejnë në Komandën Rajonale – Lindje në Kosovë që prej përfundimit të luftës.

Ndryshe, 635 trupa amerikane aktualisht shërbejnë në misionin paqeruajtës në Kosovë.

 

Kategoritë
LajmeVendi