SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës raketa “me rreze më të gjatë veprimi”

SHBA-ja prej një kohe të gjatë ka hezituar që të dërgojë sisteme me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë me shqetësimin se Ukraina mund të vendosë në objektiv territoret e Rusisë dhe se ajo vetë mund të tërhiqet në luftë

Administrata e SHBA-së njoftoi se ka përgatitur një paketë të re të ndihmës ushtarake në vlerën rreth 2,2 miliardë dollarë që përfshin edhe dërgimin e raketave “me rreze më të gjatë veprimi” për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Associated Press (AP), duke cituar zyrtarë amerikanë që të paidentifikuar, tha se paketa pritet të njoftohet brenda disa ditësh dhe se përfshin edhe premtimin për të siguruar për Ukrainën “bomba me udhëzues të përmasave të vogla që lëshohen nga toka”, të cilat kanë një rreze veprimi rreth 150 kilometra.

Në paketën që SHBA-ja ka përgatitur, Ukrainës do t’i dërgohen edhe pajisje që do të lidhin me njëra-tjetrën sistemet e ndryshme të mbrojtjes ajrore të dërguara në Ukrainë nga vendet Perëndimore me qëllim për të ndihmuar për një mbrojtje më të mirë kundër sulmeve raketore të Rusisë.

Paketa e përgatitur nga SHBA-ja përfshin municione dhe pajisje mbështetëse prej 425 milionë dollarësh që do të tërhiqen nga rezervat ekzistuese të Pentagonit dhe fondin e ri prej 1,75 miliard dollarë përmes Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës për t’u përdorur për të blerë armë të reja për Ukrainën.

Raketat “me rreze më të gjatë veprimi”, pajisjet për integrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, dy sisteme të mbrojtjes ajrore HAWK, armët dhe municionet kundërajrore dhe mjetet ajrore pa pilot (dronë) që do të dërgohen në Ukrainë, do të financohen nga fondet e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës.

SHBA-ja prej një kohe të gjatë ka hezituar që të dërgojë sisteme me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë me shqetësimin se Ukraina mund të vendosë në objektiv territoret e Rusisë dhe se ajo vetë mund të tërhiqet në luftë.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, në një deklaratë të bërë dje theksoi se nëse aleatët e tyre i japin Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, ata janë të gatshëm të garantojnë se nuk do të sulmojnë me këto armë territoret e Rusisë.

Washington-i ka siguruar rreth 27,2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për qeverinë e Kievit që nga 24 shkurti 2022 kur Rusia filloi sulmet e saj ndaj Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme