SHBA-ja: Fokusi ynë është ta ulim Putinin në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës

“Tani për tani, presidenti Trump është i vetmi person në botë që mund ta çojë atë (Putinin) në tryezën e bisedimeve”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se rruga më e rëndësishme për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë është sjellja e presidentit rus Vladimir Putin në tryezën e bisedimeve, transmeton Anadolu.

Në programin “This Week” të ABC News, Rubio foli për negociatat e paqes mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Rubio tha se Trump po përpiqet të bindë Rusinë të negociojë për të parë nëse ka apo jo një rrugë për t’i dhënë fund kësaj lufte. “Ky proces do të përfundojë vetëm kur Vladimir Putin të ulet në tryezën e bisedimeve. Tani për tani, presidenti Trump është i vetmi person në botë që mund ta çojë atë (Putinin) në tryezën e bisedimeve”, shtoi Rubio.

Në pyetjen nëse thënia “diktator” ndaj Zelenskyyt është apo jo e përshtatshme edhe për Putinin?”, Rubio u përgjigj: “Ne kemi fyer Vladimir Putinin për tre vjet, por kjo nuk është çështja tani. Ajo për të cilën ne fokusohemi sot është ta ulim këtë njeri në tryezë. Ndoshta edhe ata nuk duan një marrëveshje. Ne nuk e dimë këtë, por ne nuk kemi folur me ta për tre vjet, kështu që ndoshta dhe duan”.

– “Nëse Trump do të ishte demokrat, ai do të fitonte çmimin Nobel”

Rubio tha se sigurimi i garancive të sigurisë së SHBA-së për Ukrainën janë të lidhura me paqen, se qëllimi i tyre është të inkurajojnë Rusinë për të negociuar dhe se nuk duhet të ndërmerren hapa për ta parandaluar këtë.

Duke mbrojtur idenë se Zelenskyy në çdo rast e ktheu temën në Ukrainë gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Rubio tha se Trump duhet të marrë mbështetje për iniciativat e tij të paqes.

Rubio përsëriti retorikën e tij në lidhje me përpjekjen për t’i dhënë fund luftës, duke thënë “Nëse një demokrat do ta bënte këtë, të gjithë do të thonin, ‘(Trump) është në rrugën e tij drejt Çmimit Nobel për Paqe'”.

– Çfarë ndodhi?

Mes Trumpit dhe Zelenskyyt shpërtheu një debat gjatë takimit që u mbajt në Zyrën Ovale më 28 shkurt dhe pas kësaj u anulua konferenca e përbashkët për media e planifikuar më parë ndërsa Zelenskyy u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Gjatë debatit, Trump kritikoi qëndrimin e liderit ukrainas, ndërsa Zelensky shprehu pritshmërinë e tij për mbështetje ndaj vendit të tij. Pas diskutimit, nuk u nënshkrua as marrëveshja për elementet e rralla të tokës që ishte paralajmëruar të nënshkruhej.

Pas debatit të nxehtë në Zyrën Ovale, Trump në një deklaratë nga llogaria e tij “Truth Social” mbrojti idenë se Zelenskyy nuk ishte ende gati për paqe.

Ndërsa Zelenskyy në përgjigje të pyetjes gjatë një interviste për “Fox News” nëse do të kërkojë apo jo falje ndaj Trump, ai tha se nuk ka bërë asgjë të keqe për të cilën ai duhet të kërkojë falje.

Pas debatit, shumë liderë evropianë publikuan mesazhe mbështetjeje për Ukrainën.

Kategoritë
BotaLajme