SHBA-ja sërish i vë veto rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gaza

Projektrezoluta e paraqitur nga anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit mori 14 vota

SHBA-ja sot i vuri sërish veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte armëpushim “të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të qëndrueshëm” në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Projektrezoluta gjithashtu kërkonte parandalimin e urisë së palestinezëve.

E paraqitur nga dhjetë anëtarë të zgjedhur të Këshillit – Algjeria, Ekuadori, Guajana, Malta, Mozambiku, Koreja e Jugut, Sierra Leone, Sllovenia dhe Zvicra – projektrezoluta mori 14 vota.

Rezoluta “kërkoi armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të qëndrueshëm që të respektohej nga të gjitha palët”, ndërsa përsëriti “kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve” dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të përmbushte përgjegjësinë e tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Projektrezoluta hodhi poshtë “çdo përpjekje për të vrarë palestinezët” dhe bëri thirrje për “lehtësimin e hyrjes së plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare në masë të mjaftueshme dhe në gjithë Rripin e Gazës”.

Duke u kërkuar të gjitha palëve që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile, ajo gjithashtu kërkoi zbatimin e Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit, e cila përfshin dispozita për pengjet, të burgosurit palestinezë dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.

Rezoluta gjithashtu kërkoi raporte nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbi zbatimin e saj dhe një vlerësim gjithëpërfshirës të nevojave për Gazën brenda 90 ditëve.

Vetoja e SHBA-së, megjithatë, parandalon miratimin e masave.

Përpara vetos së pritshme të SHBA-së, Carolyn Rodrigues-Birkett, e dërguara e Guajanës në OKB, tha se “rezoluta para Këshillit është produkt i disa javësh konsultimesh midis të gjithë anëtarëve të Këshillit”.

“Ajo u nxit nga shqetësimi i thellë i Këshillit për situatën katastrofike humanitare në Gaza, duke përfshirë atë që po ndodh në Gazën Veriore, dhe nevojën për një përgjigje urgjente ndaj asaj situate”, tha ajo.

– SHBA-ja më parë ka bllokuar 3 rezoluta për Gazën

Zëvendësi i të dërguarit të SHBA-së në OKB Robert Wood tha pas votimit: “Ne e bëmë të qartë gjatë gjithë negociatave se nuk mund të mbështesim një armëpushim të pakushtëzuar që nuk arritn të lirojë pengjet” dhe se “një fund i qëndrueshëm i luftës duhet të vijë me lirimin e pengjeve.

“Thënë thjesht, kjo rezolutë do t’i dërgonte një mesazh të rrezikshëm Hamasit. Nuk ka nevojë të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, shtoi ai, duke akuzuar grupin e rezistencës palestineze për refuzimin e marrëveshjeve të armëpushimit.

SHBA-ja më parë i ka vënë veton tri projektrezolutave të Këshillit të Sigurimit që kërkonin armëpushim urgjent në Gaza.

SHBA-ja i vuri veton rezolutave në tetor 2023, dhjetor 2023 dhe në shkurt, ndërsa abstenoi në votime për projektrezoluta të tjera.

Kategoritë
BotaLajme